Në orët e para të së shtunës, kryeministri grek Alexis Tsipras mori mbështetjen e ligjvënësve për planin e reformave ekonomike, duke i dhënë atij të drejtën ligjore që të negociojë për të arritur një marrëveshje me bazë propozimet greke, që synojnë t’i japin fund krizës së borxhit.

Në total, 251 deputetë votuan “pro”, 32 votuan “kundër”, ndërsa 8 të tjerë abstenuan. Ndërkohë, 9 deputetë të tjerë, përfshirë ish-ministrin e Financave, Yanis Varoufakis, mungonin në sallë. Ndërsa mes anëtarëve të partisë Syriza që abstenuan ishte edhe kryetari i Kuvendit, Zoe Constantopoulou dhe ministri i Energjitikës, Panajotis Lafazanis.

Pavarësisht mbështetjes së Parlamentit për masat, Tsipras u përball me një rebelim në partinë e tij që mund të kërcënojë shumicën në Parlament. Masat u miratuan me mbështetjen e partive opozitare pro-europiane.

Me bankat ende të mbyllura dhe krejtësisht të varura nga një Banka Qendrore Europiane, masat janë parë si shansi i fundit për të shmangur kolapsin e sistemit financiar dhe për të parandaluar një dalje të Greqisë nga Eurozona.

Gjatë së premtes në Parlament, Tsipras tha: “Morëm mandat që të sjellim një marrëveshje më të mirë në Parlament dhe jo të nxjerrim Greqinë nga Eurozona. Midis një katastrofe dhe një zgjidhjeje të keqe, kur dikush të kërkon ose paratë ose jetën, duhet të bësh më të mirën”.

Ai e mbylli fjalimin duke thënë: “ose vazhdojmë të gjithë bashkë, ose ikim të gjithë bashkë”; dhe është duartrokitur nga grupi parlamentar.

Sipas ministrit të Financave, Euclid Tsakalotos, marrëveshja e re ka vërtet pika të vështira me rritje taksash dhe reforma të ashpra, por ka edhe favorizime për Greqinë si: dhënia e një frymëmarrjeje të re nëpërmjet financimit për të mos falimentuar, mundësia e një ristrukturimi të borxhit grek, apo paketa e masave dhe investimeve për zhvillimin e ekonomisë, të cilat do të nxjerrin vendin nga recesioni.

Vlerësohet se paketa e ndihmës përmban financime prej 53.5 miliardë euro, si dhe rreth 15 miliardë për rikapitalizimin e bankave, ndërsa masat shtrënguese thuhet se shkojnë në rreth 12 miliardë euro.

Top Channel