Parandalimi i aksidenteve rrugore, 2 të arrestuar në Elbasan

11/07/2015 00:00

Policia e qarkut të Elbasanit, në kuadër të kontrolleve për parandalimin e aksidenteve rrugore, ka vënë në pranga në orët e natës mes së premtes dhe së shtunës dy persona.

Sipas një njoftimi për shtyp, në pranga fillimisht ka rënë shtetasi Xhafer Muzhaqi, nga fshati Shushicë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga patrulla policore është konstatuar se po drejtonte automjetin e tij, me targë “EL 7375 B”, në gjendje të dehur.

Ndërkohë, në rastin tjetër, uniformat blu kanë arrestuar 17-vjeçarin Marjus Muça, i cili po drejtonte mjetin e tij tip motorçikletë pa qenë i pajisur me lejen e posaçme.

Duke udhëtuar, 17-vjeçari nga qyteti i Elbasanit është përplasur nga një automjet, i drejtuar nga një shtetase. Duke bërë verifikimet në vendin e ngjarjes, agjentët kanë konstatuar se Muça nuk zotëronte lejen e qarkullimit.

Ndaj tij është shpallur arresti, edhe pse aktualisht ai ndodhet në spital për të marrë mjekime për plagët e marra nga aksidenti.

Mësohet se në të dyja rastet materialet i kanë kaluar tashmë prokurorisë së rrethit për proçedim të mëtejshëm të çështjeve.

Ndërkohë, përveç dy të arrestuarve, autorja e aksidentit të Marjus Muçës po procedohet në gjendje të lirë, thuhet në një komunikatë zyrtare për shtyp.

Top Channel