Durrës, zjarri shkrumbon zdrukthtarinë; rrezikohen godinat përreth

11/07/2015 00:00

Një zjarr i fuqishëm ka rënë mëngjesin e së shtunës në ambientet e një zdrukthtarie, në lagjen numër 17 të qytetit të Durrësit, duke e shkrumbuar tërësisht atë.

Zjarri ra pranë tregut industrial dhe për shkak të intensitetit shumë shpejt doli jashtë kontrollit, duke rrezikuar edhe dy pallate e dy shtëpi private aty pranë.

Në vendin e ngjarjes mbërritën 4 makina zjarrfikëse, të cilat nisën punën për shuarjen e flakëve. Por situata e rënduar i detyroi autoritetet lokale të kërkonin ndihmë nga departamentet e zjarrfikësve në Tiranë dhe Vorë.

Falë ndihmës së këtyre të fundit u bë e mundur vënia nën kontroll e situatës. Për momentin nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit, por dyshimet paraprake flasin për një shkëndijë elektrike.

Ndërkohë, nga verifikimet e para rezulton se pronar i zdrukthtarisë është shtetasi Baftjar Shkira, i cili aktualisht ndodhet me pushime në Turqi.

Top Channel