Gjiknuri në Dubrovnik: Korridori jugor i gazit, rëndësi strategjike për Europën

11/07/2015 00:00

Në Dubrovnik të Kroacisë është firmosur memorandumi i bashkëpunimit për ndërtimin e infrastrukturës së gazit. Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri tha gjatë aktivitetit se përveç projektit TAP, me rëndësi është edhe ndërtimi i gazsjellësit Jonian Adriatik.

Ministri Gjiknuri vlerësoi rëndësinë e veçantë të procesit të ndërlidhjes së gazit në Europën Qendrore dhe Juglindore dhe ndikimin direkt të tij në sigurinë dhe furnizimin me burime të reja energjetike të rajonit. “Projekti TAP duhet të konsiderohet si një ndër prioritetet kyçe të infrastrukturës së gazit në Europë”, tha ai.

Nga përfaqësues të BEI dhe të BERZH u prezantuan qëndrimet dhe vlerësimi i këtyre institucioneve të rëndësishme financiare për çështjet kryesore të analizës së maturisë dhe efektivitetit financiar të projekteve të ndërlidhjes, të përfshira në Planin e Veprimit, si dhe për rëndësinë e mbështetjes së tyre.

Memorandumi i Mirëkuptimit, i firmosur në Dubrovnik, skicon rrugën për një integrim më të ngushtë të tregjeve të Bashkimit Europian dhe vendeve të Komunitetit të Energjisë. Forcimi i rregullatorit dhe bazës ligjore të tregut vlerësohet se do të ndihmojë për përmirësimin e klimës së investimeve në vendet nënshkruese.

Puna nën iniciativën e Komisionit Europian për ndërlidhjen e rrjetit të gazit në Europën Qendore, Lindore dhe Juglindore nuk do të fokusohet vetëm tek ndërtimi i gazsjellësve të rinj, por gjithashtu edhe në gjetjen e rrugëve për të shfrytëzuar maksimalisht infrastrukturën ekzistuese.

Në këtë takim ishin të pranishëm zv.Presidenti i Komisionit Europian Maros Sefcovic, Komisioneri Europian për Energjinë Miguel Arias Canete dhe ministrat e energjisë së Shqipërisë, Austrisë, Bullgarisë, Kroacisë, Greqisë, Hungarisë, Italisë, Rumanisë, Sllovakisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Serbisë dhe Ukrainës. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të lartë të ministrive të Energjisë nga Kosova dhe Mali i Zi, Drejtori i Sekretaritit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac, dhe përfaqësues të mjaft kompanive të rëndësishme ndërkombëtare e rajonale të gazit dhe energjisë.

Top Channel