Kina bëhet gati për tajfunin e plotëfuqishëm

11/07/2015 00:00

Mbi 800 mijë persona janë evakuuar nga zonat bregdetare në lindje të Kinës, në kuadër të masave për t’i paraprirë një tajfuni të fuqishëm në ardhje.

Tajfuni “Chan-hom” pritet të zbarkojë në jug të Shangait më vonë gjatë së shtunës. Në prag të mbërritjes së tij, erërat kanë fryrë me një shpejtësi prej 187 kilometra në orë, ndërsa rreth 400 fluturime janë anuluar.

E njëjta stuhi u mori jetën 5 personave më herët gjatë javës në ishujt Filipine, ndërsa preku edhe Taivanin dhe Japoninë, duke çrrënjosur pemë dhe duke plagosur persona të shumtë.

Instituti meteorologjik kinez paralajmëroi se “Chan-hom” mund të jetë stuhija më e keqe që godet rajonin që prej vitit 1949.

Tajfuni parashikohet të zbarkojë fillimisht në provincën Zhejiang, në afërsi të qytetit-port Ningbo, përpara se të lëvizë drejt Shangait.

I dërguari i BBC-së në Shangai thotë se qyteti ka filluar ta ndjejë tashmë ardhjen e stuhisë, me erëra të forta dhe shira të dendura.

Autoritetet në lokalitetin Zhejiang kanë thirrur në port 29 mijë varka peshkimi, për shkak të rrezikut nga dallgët, bën të ditur agjencia e lajmeve “Xinhua”.

Ndërsa televizioni kinez ka treguar pamje të rajoneve bregdetare të përfshira nga moti i keq, në prag të ardhjes së tajfunit.

Top Channel