Borxhi i Greqisë “ndan” koalicionin qeverisës në Gjermani

11/07/2015 00:00

Plani i propozimeve për çështjen e borxhit, i hartuar nga grekët ka krijuar ndasi në mesin e liderëve të eurozonës, por jo vetëm.

Gjermania, vendi i cili është kreditori me i madh i qeverisë së Athinës, po ndjen një peshë më të rëndë përballë kësaj situate. Koalicioni qeverisës i Berlinit duket të jetë ndarë thellësisht në dy pjesë mbi propozimet e fundit të Greqisë për reformat.

Ndërsa Social-Demokratët, partnerët e rinj në qeverinë e kancelares Angela Merkel, e mirëpritën listën e propozimeve të kryeministrit grek Aleksis Tsipras, anëtarët e bllokut konservator jane treguar të ashpër në lidhje me pozicionin e Greqisë.

Në mesin e kundërshtarëve të reformave, figura më e lartë nga radhët e aleancës konservatore Merkel, Hans-Peter Friedrichme, me tone të ashpra tha se kriza greke po përdoret për të dobësuar rregullat fiskale në Europë, dhe ai beson se arsyeja e vetme që presidenti francez, François Hollande, mbështet propozimet e fundit është se: “Socialistët francezë i duan të dobësuar rregullat fiskale tani, për shkak se ata e kuptojnë që nuk janë të aftë për zbatimin e reformave të nevojshme të Bashkimit Europian.

Nga ana tjetër, ekspertët financiarë në Gjermani shprehen se Greqia e ka humbur kredibilitetin e saj, dhe sipas tyre, nëse Merkel bie dakord për një plan të tretë ndihme për qeverinë e Athinës, atëherë ajo do të nënshkruajë me duart e saj thellimin e krizës, duke rrezikuar në të njëjtën kohë edhe pozicionin e saj si kancelare.

Po ashtu, analistët gjykojnë se kjo është një nga periudhat më të vështira të Angela Merkel, e cila nëse miraton një Grexit, do të dëmtojë deri diku imazhin e Europës, se tradhton miqtë në një moment kur kanë nevojë.

Por pavarësisht skepticizmit të politikës dhe popullit gjerman, tregjet atje reaguan pozitivisht ndaj lajmit se një marrëveshje e re është potencialisht në horizont.

Top Channel