Rreziku nga rrezet e diellit, dermatologët: Përdorni kremra

11/07/2015 00:00

Këtë fundjavë, kur termometri shënon me të kuqe  dhe temperatura të larta, të gjithë  i janë drejtuar plazheve. Por dermatologët nuk rreshtin së bëri thirrje për sa më shumë kujdes ndaj ekspozimit në diell për shkak të dëmeve të parikuperueshme që i shkaktohen lekurës,  në një kohë të mëvonshme.

Dr. Erjona Shehu  këshillon respektimin e orareve të ekspozimit dhe përdorimit të kapeleve, syzeve dhe kremërave të lëkurës.

“Janë shumë të rëndësishme të respektohen. 10.00 me 16.00 është një orar që nuk duhet të ekspozohemi në diell. Jashtë këtij orari mund të ekspozohemi, por gjithmonë duke aplikuar masat mbrojtëse. Përpos orarit janë pastaj masat konservative, që janë vendosja e një kapeleje me strehë të madhe për të mbrojtur të gjitha pjesët më të ekspozuara të fytyrës, siç është balli, mollëzat, hunda dhe mjekëra, ku janë dhe pjesët që shohim që na krijohen më shumë njollat e diellit”, thotë dr. Erjona Shehu, dermatologe.

Dermatologia Shehu thote se nuk mjafton vetëm lyerja njëherë me krem e lëkurës, pasi humbet efekti i faktorit mbrojtës.

“Sipas të gjithë direktivave të OBSH duhet që të aplikohet çdo 90 minuta. Pra, nëse e vendosim tani kremin, pas një orë e gjysëm ky krem e ka humbur aftësinë e tij dhe filtrat e tij mbrojtës, prandaj duhet ta riaplikojmë. Riaplikohet nëse futemi në det, lahemi. Sërish, kontakti me ujin e bën jorezistent faktorin mbrojtës, dhe duhet të dalim ta rivendosim”, vijon dermatologia Shehu.

Pasojat e djegies së lëkurës  nuk janë të mënjëhershme shton doktoresha, por në një kohë të mëvonshme ato janë të rrezikshme pasi shkaktojnë kancerin e lëkurës.

“Ekspozimi i gjatë në diell është një ndër faktorët shpërthyer të kancerit të lëkurës, që quhet melanomë. Duke abuzuar me rininë, freskinë e moshës, të rinjtë dalin, janë të pavëmendshëm, të pakujdesshëm karshi ekspozimit në diell dhe mendojnë që nuk do t’u ndodhi asgjë përveç tharjes së lëkurës, që e rekuperojnë me lyerjen me kremëra apo vajra trupi. Me kalimin e viteve shohin që në lëkurën e tyre shfaqen ndryshime. Këto mund  të jenë si në pigmentimin e nishaneve që kanë qenë ekzistues, dhe ndryshimin e formave e përmasave të tyre ashtu mund ët jenë dhe ndryshime ët reja, të panjohura për ta”, thotë dr. Erjona Shehu, dermatologe.

Top Channel