Kosovë, në pranga 5 të dyshuar si pjesëtarë të ISIS-it

11/07/2015 00:00

Policia e Kosovës ka arrestuar të shtunën pesë persona të dyshuar si pjesëtarë të ISIS, të cilët dyshohet se po planifikonin sulme terroriste afër liqenit të Badovcit në periferi të Prishtinës, nga ku furnizohen me ujë të pijshëm shumica e lagjeve të Prishtinës.

Zëdhënësi i Policisë Baki Kelani bëri të ditur se Policia ka urdhëruar mëngjesin e së shtunës institucionet relevante që të ndërpresin menjëherë furnizimin e qytetarëve me ujë nga liqeni i Badovcit dhe ka urdhëruar kryerjen e analizave të ujit për shkak frikës së ndonjë helmimi të mundshëm.

“Po, ne për shkaqe sigurie kemi angazhuar edhe institucionet përkatëse kompetente, në këtë rast edhe ujësjellësin, në mënyrë që të bëjnë një analizë të ujit. Mirëpo po themi nuk ka nevojë për ndonjë panik të qytetarëve për arsye se deri në këtë fazë nuk është gjet asnjë element i dyshimit që të ketë mundur të helmohet uji. Sepse reagimet e zyrtarëve policorë kanë qenë me kohë dhe kanë arritur që ti arrestojnë me kohë personat e dyshuar të përfshirë”, thotë Baki Kelani, zëdhënësi i Policisë së Kosovës.

Të gjithë të arrestuarit janë shtetas të Kosovës, ndërsa dy prej tyre mësohet se kanë qenë edhe më parë të ndaluar nga policia për pjesëmarrje në luftën e Sirisë.

Kelani ka konfirmuar se të arrestuarve u janë gjetur edhe flamuj dhe prova tjera që dëshmojnë lidhjen e tyre me organizatën terroriste ISIS.

“Deri tani mund të konfirmoj se janë arrestuar pesë persona të dyshuar, që dyshohet të jenë të përfshirë apo të ndërlidhur me vepra penale të terrorizmit. Në bazë të asaj se çfarë është gjetur në vendin e ngjarjes, Policia e Kosovës fillimisht ka konfiskuar dy automjetet të cilat kanë qenë në posedim tek personat e dyshuar si dhe janë gjetur disa dëshmi tjera relevante në brendi të automjetit që lënë të kuptojnë që kanë qenë të ndërlidhur me përfshirje në sulme të mundshme terroriste. bëhet fjalë për gjetjen e disa rrobave por njëkohësisht edhe një flamur me mbishkrim arab”, sqaron ai.

Policia e Kosovës tash e disa ditë ka ngritur nivelin e gatishmërisë dhe ka urdhëruar gjithë policët që të mbajnë jelekë antiplumb për shkak të raportimeve dhe zbulimit të komunikimeve të disa shqiptarëve që ndodhen në ISIS në Siri me qytetarët të Kosovës.

“Nuk ka vend për panik në aspektin e sigurisë së përgjithshme në Kosovë sepse Policia e Kosovës me kohë ka ndërmarrë masat e saja për të ruajtur rendin, sigurinë dhe ndonjë sulm të mundshëm terrorist. Mirëpo nuk mund të themi që edhe Kosova të mos jetë imune sikur që nuk janë edhe vendet e tjera më të zhvilluara, për ndonjë sulm të mundshëm”, thotë Kelani.

Top Channel ka raportuar ditë më parë se inteligjenca kosovare ka zbuluar disa komunikime të disa kosovarëve, që po planifikonin sulme terroriste në Kosovë në koordinim me qytetarët të Kosovës që ndodhen në luftimet e Sirisë.

Top Channel