Ministrat e Financës së Eurozonës paralajmëruan për bisedime të vështira, para takimit ku do të vendoset nëse propozimet e reja të qeverisë greke meritojnë një paketë të tretë huadhënieje.

Ministri gjerman i Financave, Wolfgan Schaeuble i përshkroi bisedimet si “tmerrësisht të vështira”, ndërsa kreu i Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem foli për rikthimin e besimit mes palëve.

Ministri grek i Ekonomisë, Giorgos Stathakis deklaroi për BBC se qeveria greke është e vendosur për të avancuar me reformat. Ai shprehu besimin se do të ketë një marrëveshje brenda ditë së dielë, atëherë kur përfundon afati dhe në lojë mund të vihet skenari gjerman; dalja e Greqisë për 5 vjet nga Eurozona.

Në orët e para të së shtunës, Parlamenti grek kaloi me shumicë dërrmuese votash draft-propozimet e qeverisë Tsipras, që i janë paraqitur huadhënësve ndërkombëtarë. Mes propozimeve bëjnë pjesë shumë reforma dhe masa shtrënguese, të cilat qytetarët i rrëzuan në referendumin e së dielës që kaloi.

Sipas ministrit të Financave, Euclid Tsakalotos, propozimet e reja kanë vërtetë pika të vështira me rritje taksash dhe reforma të ashpra, por ka edhe favorizime për Greqinë si: dhënia e një frymëmarrjeje të re nëpërmjet financimit për të mos falimentuar, mundësia e një ristrukturimi të borxhit grek, apo paketa e masave dhe investimeve për zhvillimin e ekonomisë, të cilat do të nxjerrin vendin nga recesioni.

Vlerësohet se paketa e ndihmës përmban financime prej 53.5 miliardë euro, si dhe rreth 15 miliardë për rikapitalizimin e bankave, ndërsa masat shtrënguese thuhet se shkojnë në rreth 12 miliardë euro.

Propozimet e Greqisë, që në thelb rinovojnë politikat e ekonomisë vendase dhe bëjnë shkurtime të buxhetit, janë më afër kërkesave të kreditorëve. Në këtë përfundim kanë arritur disa nga zyrtarët e Eurozones. Megjithatë ato nuk janë të mjaftueshme.

Plani 13 prej faqesh, i hartuar nga qeveria e Athinës, do të përcaktojë njëherësh edhe fatin e Greqisë brenda Euros, nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e saj, ose jo.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel u shpreh skeptike. Ajo reagoi një ditë pas shpalosjes së propozimeve, ku shkurtimisht tha se masat e reja duhet të shkojnë përtej atyre që kreditorët kishin kërkuar me parë nga Greqia.

Mediat ndërkombëtare flasin se Merkel tani është në presion dhe mes dy zjarresh; borxhin grek dhe popullin gjerman, ku në një sondazh të zhvilluar së fundmi gati gjysma e tyre kërkon që Greqia të lërë Eurozonën, si edhe kolegëve ndërkombëtarë, që nuk e duan një skenar “Grexit”.

Top Channel