Zyrtarisht mendimi gjerman për propozimet e reja greke për çështjen e borxhit ka qenë diplomatik, duke shfaqur hera-herës një skepticizëm të thellë, por jozyrtarisht thuhet se Berlini e ka të qartë; Greqia duhet të largohet nga Eurozona.

Të paktën kështu shkruan media gjermane. “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, duke cituar një dokument, sipas saj, të dalë nga Ministria e Financave, e drejtuar nga Wolfgang Schaeuble, thotë se plani grek nuk bind.

“Propozimet nuk janë të besueshme. Do t’u themi kolegëve tanë grekë që nuk kanë bërë asgjë për të forcuar besimin e ndërsjelltë”, thuhet në dokument.

Ajo që përforcon këto lajme është deklarata e ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schaeuble, i cili i përshkroi bisedimet si “tmerrësisht të vështira”.

Vetë Kancelarja gjermane, Angela Merkel u shpreh skeptike më herët. Ajo reagoi të premten, ku shkurtimisht tha se masat e reja duhet të shkojnë përtej atyre që kreditorët kishin kërkuar me parë nga Greqia.

Mediat ndërkombëtare flasin se Merkel tani është në presion dhe mes dy zjarresh; borxhin grek nga njëra anë dhe popullin gjerman nga ana tjetër. Në një sondazh të zhvilluar së fundmi gati gjysma e tyre kërkon që Greqia të lërë Eurozonën, si edhe kolegëve ndërkombëtarë, që nuk e duan një skenar “Grexit”.

Informacioni është jozyrtar dhe i pakonfirmuar, por mediat gjermane këmbëngulin se plani i Athinës për 12 miliardë euro, do të rrëzohet dhe Greqia do të largohet nga Eurozona, por jo përfundimisht. Të njëjtat burime thonë se Gjermania do të propozojë një pezullim 5-vjeçar për palën greke në Eurozonë, një kohë që Berlini e cilëson si të mjaftueshme për Athinën për të ristrukturuar borxhin e saj.

Në orët e para të së shtunës, Parlamenti grek kaloi me shumicë dërrmuese votash draft-propozimet e qeverisë Tsipras, që i janë paraqitur huadhënësve ndërkombëtarë. Mes propozimeve bëjnë pjesë shumë reforma dhe masa shtrënguese, të cilat qytetarët i rrëzuan në referendumin e së dielës që kaloi.

Sipas ministrit të Financave, Euclid Tsakalotos, propozimet e reja kanë vërtetë pika të vështira me rritje taksash dhe reforma të ashpra, por ka edhe favorizime për Greqinë si: dhënia e një frymëmarrjeje të re nëpërmjet financimit për të mos falimentuar, mundësia e një ristrukturimi të borxhit grek, apo paketa e masave dhe investimeve për zhvillimin e ekonomisë, të cilat do të nxjerrin vendin nga recesioni.

Vlerësohet se paketa e ndihmës përmban financime prej 53.5 miliardë euro, si dhe rreth 15 miliardë për rikapitalizimin e bankave, ndërsa masat shtrënguese thuhet se shkojnë në rreth 12 miliardë euro.

Top Channel