Ministrat e Financave të Eurozonës nuk kanë arritur në asnjë përfundim ditën e shtunë, pas një samiti dramatik maratonë, kanë vazhduar edhe sot bisedimet në një klimë të mbushur me skepticizëm,ndasi dhe pozicionime të ndryshme për sa i përket propozimeve që ka sjellë Greqia në institucionin europian për të marrë një paketë financiare, të tretën sipas radhës dhe për të shmangur falimentimin e plotë të saj.

Por edhe në ditën e dytë të samitit të Eurogrupit ,mes negociatave të konsideruara prej shumicës së tyre si shumë të vështira, partnerët e Athinës kanë kërkuar prej saj premtimin për reforma akoma më të thella në sistemin ekonomik dhe financiar para se të japin dritën jeshile për një kredi shumëmiliardëshe.

Vendet anëtare të Eurozonës thuhet se janë të ndara në tre grupe, në ato që përkrahin qëndrimin e ashpër të Gjermanisë, e cila siç u bë e ditur kishte gati një plan për daljen e Greqisë për 5 vjet nga Eurozona, ose reforma të ashpra dhe siguri politike për zbatimin e tyre.

Në vendet asnjanëse që presin si do të shkojnë negociatat dhe në vendet pro Greqisë që janë të pakta, por që përbëjnë një aks kryesor në familjen europiane, siç është Franca, që ndihmoi Greqinë në hartimin e propozimeve të reformave, por edhe Italia që ka frikën se do të jetë edhe ajo në epiqendër të tregjeve, në rastin e një “Grexit” të mundshëm.

Në përfundim të samitit të ministrave të eurozonës janë bërë të ditura edhe hollësitë që përmban drafti i masave të reja që europianët kërkojnë nga Athina:

•    Përputhje të plotë me programin afatmesëm për arritje e tepricave primare deri në 3.5% deri në 2018,

•    Zbatimi i reformave ambicioze  për reformën e pensioneve

•    Reforma në tregun e ushqimeve

•    Barnave dhe artikujve të konsumit të përditshëm dhe liberalizimi i çmimeve

•    privatizime në tregun e energjisë

•    Reforma në marrëdhëniet e punësimit

•    Forcimi i sistemit financiar

•    Një program i ri dhe i fuqishëm i privatizimeve në përgjithësi

Ministrat e Financave i japin stafetën e bisedimeve liderëve të vendeve të Eurozonës, ku vëmendja e të gjithëve tashmë fokusohet në faktin se si do të veprojë kancelarja Merkel.

Të gjithë analistët vlerësojnë se një “Greqxit”, pra një dalje e Greqisë nga Eurozona, do të shkatërrojë aksin franko-gjerman duke dëmtuar imazhin kryesor të BE-së.

Ndërkohë anulimi i samitit të 28 vendeve të BE-së interpretohet si një lajm i mirë për Greqinë, pasi thuhej se ishte i domosdoshëm në rast të një dështimi të bisedimeve dhe liderët e familjes europiane do të diskutonin vetëm për ndihmën humanitare që do t’i jepej Athinës në këtë rast, duke i siguruar ushqime dhe barna.

Por nga ana tjetër tregon se marrëveshja për Greqinë nuk do të mbarojë kaq shpejt dhe do të duhen shumë ditë e javë, në fillim që Greqia të marrë një ndihmë të përkohshme dhe të mos falimentojë, e më pas, në bazë të reformave që do të miratojë dhe ecurisë, parlamenti i saj të marrë me këste edhe paketën e madhe të ndihmës që përllogaritet pothuajse e në nivelin e paketës së parë që mori në vitin 2010.

Top Channel