Iker Casillas në lot, i jep lamtumirën Realit

12/07/2015 00:00

Pas 25 vitesh te Real Madrid, 16 sezonesh te skuadra e parë dhe 725 ndeshjesh zyrtare të luajtura, Iker Casillas i ka dhënë fund aventurës me klubin e kryeqytetit spanjoll. Kapiteni i skuadrës, i cili ka fituar 3 Champions League, 5 kampionate, 2 Kupa Mbreti, 1 Kupë Interkontinentale, 2 Superkupa Europe, 1 Botëror Klubesh dhe 4 Superkupa Spanje, doli në një konferencë për shtyp mesditën e së dielës për t’i dhënë lamtumirën klubit ku u rrit.

Casillas kishte përgatitur një komunikatë, për të cilën tha me shaka: “Për ta lexuar duhen vetëm disa minuta, por unë do të vonohem një orë”. Pas kësaj, nisi të qajë dhe të lexojë me vështirësi atë që kishte përgatitur.

Ra në sy që Iker Casillas u nda i vetëm nga Reali, pasi në këtë konferencë nuk ishte asnjë nga drejtuesit e lartë të klubit dhe asnjë nga stafi teknik i skuadrës.

Ndërkohë që shokët e skuadrës ishin nisur që në mëngjes për në Melburn, atje ku Reali do të zhvillojë disa ndeshje miqësore.

Top Channel