KLSH kallëzon në Prokurori ish-kryetarin e Bashkisë së Memaliajt

12/07/2015 00:00

Pas auditimit në Bashkinë e Memaliajt, KLSH ka konstatuar një sërë shkeljesh dhe ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër kallëzim penal për ish-kryetarin e Bashkisë së Memaliajt, Lulëzim Meçe dhe një punonjës të kësaj bashkie.

Bëhet e ditur se pas auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit janë gjetur shkelje në dhënien e tenderave publikë, në shkelje të ligjit “Për Prokurimin Publik” në lidhje me mirë përdorimin e fondeve buxhetore, pasi nuk janë kursyer fonde buxhetore,  duke i shkaktuar Buxhetit të Shtetit dëm ekonomik  në vlerën 5,035,490 lekë me TVSH. 

Në tenderin me objekt rikonstruksionin e disa rrugëve Bashkia ka skualifikuar njërin nga operatorëve ekonomikë, i cili ka paraqitur ofertën ekonomike më të ulët në vlerë se operatori i kualifikuar dhe i shpallur fitues, me diferencë vlerën  4,196,242 lekë, pa TVSH.

KLSH ka bërë të ditur se nga auditimi mbi ligjshmërinë e arsyeve të  skualifikimit, u konstatua se Autoriteti Kontraktor nuk ka kërkuar sqarime, në mënyrë që pas marrjes së tyre të gjykonte për  vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e kësaj oferte. Rezultoi se kërkesat për skualifikim janë të pa argumentuara dhe të pa mbështetura ligjërisht, sepse kontrata që prokurohet nuk është kontratë shërbimi, por është kontratë e mirëfilltë pune.

Kallëzimi penal për ish-kryetarin e kësaj bashkie dhe një punonjës të saj është ngritur për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Ndërkohë KLSH ka rekomanduar edhe dhënia e masës disiplinore ndaj 6 punonjësve të administratës së Bashkisë Memaliaj për shkak të parregullsive të shumta dhe shkeljeve në fushën e procedurave të prokurimit, duke kërkuar njëkohësisht edhe shpërblimin e dëmeve ekonomike të konstatuara në vlerën kompleksive prej 5.115 mijë lekë.

Top Channel