Pogradec, kallëzim penal për 6 zyrtarë. Dëmtuan buxhetin e bashkisë në vlerë prej 160 mijë euro

12/07/2015 00:00

Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas auditimit të bërë në fillim të këtij viti në Bashkinë Pogradec, i ka dorëzuar këtyre të fundit gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare, dhe ku thuhet se për shkak të numrit të madh të shkeljeve është bërë një dëm i konsiderueshëm ekonomik në vlerë prej 22.9 milionë lekë ose mbi 160 mijë euro.

Me këtë rast, KLSH ka kallëzuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pogradec tre kryeinspektorë dhe tre specialistë të Njësisë së Prokurorimit të Bashkisë Pogradec, ndërsa në total ka rekomanduar dhënien e masës disiplinore ndaj 38 punonjësve të administratës së kësaj bashkie, për shkak të parregullsive të shumta.

Me akuzën për “Shkeljë të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, janë kallëzuar S.Ll., F.B. dhe E.L., që në cilësinë e specialistëve të Njësisë së Prokurimit në Bashkinë Pogradec, kanë bërë shkelje flagrante të rregullave të përcaktuara në fushën e prokurimeve publike, kanë sjellë mospërdorimin me efektivitet, ekonomicitet dhe eficencë të fondeve publike në vlerën prej 4,796,530 lekë.

Gjithashtu, kallëzim penal është bërë edhe për K.Gj., A.M. dhe G. Sh., me detyrë kryeinspektorë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit Vendor Pogradec, për periudha të ndryshme, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, të cilët kanë favorizuar duke shmangur pagesën e gjobës prej 3,184,815 lekë, në mënyrë të qëllimshme dhe të kundraligjshme, ndaj një subjekti privat.

Top Channel