Prishtinë, merren në pyetje 5 të dyshuarit si anëtarë të ISIS. Masa e sigurisë, të hënën

12/07/2015 00:00

Pak pas orës 20:00 të së dielës ka përfunduar seanca dëgjimore e 5 personave, të cilët u arrestuan pas mesnatës së të premtes, të dyshuar si anëtarë të ISIS, pranë liqenit të Badovcit.

Vendimin për masën e sigurisë te të dyshuarve Gazmend Halili, Milazim Haxhiaj, Besnik Latifi, Enis Latifi dhe një personi tjetër, Departamenti i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pritet ta marr të hënën.

Pas përfundimit të seancës, avokati mbrojtës i të arrestuarit Milazim Haxhiaj, Bajram Tmava e ka komentuar vetëm me thënien e Sokratit “Unë di se nuk di asgjë”.

Personat e arrestuar dyshohet se po planifikonin sulme terroriste afër liqenit të Badovcit, në periferi të Prishtinës, nga ku furnizohen me ujë të pijshëm shumica e lagjeve të Prishtinës.

Gjatë ditës, avokatja e Enis Latifit, Sabrie Jashari ka bërë të ditur se në çantën e klientit të saj është gjetur një flamur i ISIS, një maskë, një palë dorëza dhe një lloj helmi për të cilin nuk ka dhënë detaje.

Lidhur me helmin e gjetur avokatja në fjalë, pas publikimit në media, ka kundërshtuar veten duke thënë se është keqkuptuar nga gazetarët.

Ndërsa pas përfundimit të seancës dëgjimore ajo tha përmes telefonit se nuk ka asnjë provë që implikon klientin e saj në veprat për të cilat ngarkohet.

Gjykatës i çështjes është Vehbi Kashtanjeva, ndërsa prokurore Drita Hajdari.

Top Channel