Tirana sipas “Summer Fest”

12/07/2015 00:00

Për shumëkënd zgjidhja më e mirë në verë ngelet plazhi. Tirana zbrazet ditëve të nxehta, e kryeqytetasit i kthejnë sytë nga mrekullitë e rivierës shqiptare.

Por për ata që nuk mund t’i largohen kryeqytetit shqiptar përgjatë verës, Tirana me rrethinat e saj ofron një sërë destinacionesh ku mund të pushosh e argëtohesh.

“Kjo është hera e parë që vij në Shqipëri. Jam surprizuar vërtet nga Muzeu Historik, nuk e prisja që të ishte kaq i ngrohtë. Për më tepër nuk kam për ta harruar darkën që hëngrëm mbrëmë. Nëse ushqimi është kaq i mirë në të gjithë vendin besoj se do të kthehem sërish”, shprehet një turiste e huaj.

Vitet e fundit, Tirana ka ndryshuar rrënjësisht. Të dhënat e fundit të INSTAT-it, tregojnë se popullsia e Tiranës shkon në rreth 795 mijë banorë.

Kryeqyteti është zgjeruar nga viti në vit e turistët mund të gjejnë këtu dhjetëra destinacione që ofrojnë histori, kulturë dhe turizëm.

Fare pranë qendrës mund të vizitosh muret dhe gjurmët e reja të Kalasë së Tiranës. Në Rrugën “Naim Frashëri – Mozaiku i Tiranës, një vilë “Rustika” e periudhës romake e shekullit III, pas Krishtit, e zbukuruar me mozaik me motive gjeometrike.

Edhe në rrethina, kalatë të shpien në periudha të hershme historike.

Vetëm 15 larg me teleferik gjendet Mali i Dajtit. Aty ku ballkonet natyrale shfaqin si në pëllëmbë të dorës qytetin. Për më aventurierët, shpella e Pëllumbasit, pak e njohur, pranë fshatit me të njëjtin emër.

Për kryetarin e sapo zgjedhur të Bashkisë së Tiranës, kryeqyteti ofron mundësi për ta mbajtur një turist edhe më gjatë se një ditë.

Padyshim që Tirana është sot destinacioni numër 1 në Shqipëri. Jo vetëm se të gjitha rrugët të çojnë në Tiranë, por sepse me shtrirjen e re gjeografike, trashëgon sot një pajë kulturore, por edhe një pajë gjeografike. Unë jam shumë i lumtur që kemi bashkëpunimin e parë me “Summer Fest”. Duam shumë që njerëzit të kenë arsye të vizitojnë Tiranën. Unë besoj se një Tiranë e Kulturës, një Tiranë e festave, është një mënyrë e mirë për ta bërë këtë”, shprehet kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Përgjatë fundjavave, ata që e dashurojnë natyrën, mund të shkojnë te Kodrat e Liqenit. Ditët kur dielli nxeh fort, kalojnë bukur në pishinat e qytetit, mes freskisë së koktejeve.

Sa për turizmin kulinar, Tirana mbetet një metropol i të gjitha shijeve dhe traditave.

Jeta e natës, ashtu si në asnjë qytet tjetër të Shqipërisë, me DJ, karaoke e gllënjka alkool.

Kjo është Tirana e verës 2015…mbresëlënëse, jo vetëm për banorët e saj, por edhe për turistët e huaj. 

Top Channel