Sulmi ndaj Vuçiç, Presidenca boshnjake e dënon: Erdhi nën frymën e pajtimit

12/07/2015 00:00

Presidenca boshnjake e dënoi ashpër sulmin ndaj kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç në ceremoninë përkujtimore të masakrës së Srebrenicës.

Vuçiç, thuhet në deklaratën e saj, e vizitoi këtë qytet nën frymën e pajtimit e me qëllimin të bënte homazhet e tij.

Fjalët e vetë kreut të Ekzekutivit serb pas incidentit ishin formuluar në mënyrë të tillë që të dëshmonin një sinqeritet maksimal.

“Më vjen keq që disa njerëz nuk e kuptuan dëshirën time të pastër për të ndërtuar ura miqësie mes serbëve dhe boshnjakëve”, u shpreh Vuçiç pas ngjarjes, nga e cila doli me syzet e thyera, por pa lëndime trupore.

“Dora ime vazhdon të mbetet e shtrirë për popullin boshnjak”, do të shtonte ish-nacionalisti radikal serb, që në fundin e viteve 1990, ka shërbyer nën drejtimin e Slobodan Milosevic, por sot shfaqet si politikani pro-perëndimor që kërkon ta orientojë Serbinë drejt Bashkimit Europian.

Tre ditë përpara ndalesës së tij në Srebrenicë, Serbia kishte siguruar mbështetjen e aleates së vjetër, Rusisë, që bllokoi me veton e saj rezolutën e OKB-së, ku ngjarjet e tmerrshme të përpara dy dekadave përkufizoheshin si genocid.

Në publik, Vuçiç u shfaq i bindur se sulmi ndaj tij ishte i organizuar, e madje pas mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë, la të kuptohej se orkestrimi i incidentit mund të ishte vepër e grupeve ekstremiste nga Serbia.

“Sulmi ishte i planifikuar mire dhe kishte shumë slogane politike që hidheshin rreth e qark. Jam i lumtur që ky organizim nuk ishte nga familjet e viktimave, nuk ishte nga ata që kanë humbur vërtet dikë. Dëgjova njerëz t’i thoshin sulmuesve: Përse e godisni, ai nuk është fajtor, ai nuk ka bërë asgjë në këtë vend. Por agresoret i shtynë tutje e lëshonin grushte e shqelma”, tha Vuçiç.

Me dhjetëra-mijëra vetë u mblodhën në ceremoninë e mbajtur të shtunën në qytetin lindor. Sipas dëshmitarëve okularë, Vuçiç sapo kishte vendosur një kurorë me lule, kur njerëz nga turma nisën të thërrisnin “allahu akbar” e të lëshonin drejt tij gurë dhe shishe.

Në deklaratën e saj, Presidenca boshnjake e përbërë nga përfaqësues të tre komuniteteve kryesore të vendit, boshnjakë, kroatë e serbë, i kërkoi ndjesë për incidentin të gjitha delegacioneve të huaj.

Kryebashkiaku i Srebrenicës, Camil Durakovic tha se sulmi ishte vepër e mendjeve të sëmura që abuzuan me eventin solemn. Beogradi vetë e cilësoi  “një tentative për vrasje” dhe një sulm ndaj të gjithë Serbisë e politikave të saj për paqe dhe bashkëpunim rajonal.

Top Channel