Shteti Islamik, Italia dëbon shqiptarin Alban Elezi

13/07/2015 00:00

Është riatdhesuar Alban Elezi, shtetasi shqiptar i arrestuar në Breshia të Italisë në kuadër të një hetimi mbi rekrutimin e luftëtarëve të huaj për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane. Elezi pas arrestimit ishte paraqitur në gjykatë, e cila e kishte liruar për mungesë provash, ndërsa dëbimi i tij nga Italia ishte vendosur nga Prefektura e Breshias.

Elezi akuzohet për tentativë rekrutimi në radhët e ISIS të një të riu tunizian me shtetësi italiane dhe se kishte arritur të rekrutonte tashmë Anas El Abboubi, një maroken me banim në Vobarno, që aktualisht ndodhet në Siri, në radhët e Shtetit Islamik.

Elezi u arrestua në kuadër të operacionit “Ballkan”, i kryer nga njësia italiane e antiterrorit, DIGOS, e që nxorri në dritë një organizatë të akuzuar për rekrutim të terroristëve.

Elezi u arrestua më 25 mars në Shqipëri dhe u ekstradua në Itali, ku fillimisht u mbyll në burgun e Rebibbias, në Romë dhe më pas në atë të Breshias. Para nisjes për në Tiranë, ai u kërkoi agjentëve që e shoqëronin që të mos i vinin prangat.

Në aeroportin e Rinasit, Elezi është pritur nga agjentët shqiptarë të anti-terrorit. Ndërkohë, masa e dëbimit nga Italia i ndalon atij aksesin në zonën Schengen për të paktën 5 vitet e ardhshme.

Top Channel