Greqia u kishte kreditorëve të saj më shumë se 300 miliardë euro borxh. FMN-ja kërkonte një falje të pjesshme të borxhit, ndërsa vende si Gjermania as që e vinin në diskutim një mundësi të tillë duke i mëshuar vetëm idesë së ristrukturimit.

Ekspertët shpjegojnë se ku qëndronte dallimi mes këtyre dy alternativave. Në rastin e faljes së pjesshme të borxhit, kreditorët miratojnë menjëherë fshirjen e një pjese të huasë dhe i humbasin kështu paratë e tyre. Në vitin 2012, një gjë të tillë e bënë kreditorët privatë.

Pra, bankat dhe investitorët institucionalë hoqën dorë nga rreth 100 miliardë euro borxh që i kishin dhënë Greqisë, shkruajnë mediat gjermane.

Rreth tre të katërtat e borxhit grek u takojnë tani kreditorëve publikë, pra vendeve të Eurozonës (direkt ose nëpërmjet Fondit të Shpëtimit), FMN-së dhe Bankës Qendrore Evropiane (BQE).

FMN-ja kërkonte një falje borxhi në vlerë 53 miliardë euro. Greqia, që padyshim e deshironte dhe ajo një gjë të tillë, argumentonte se barra e borxhit mund të përballet vetëm nëse është më e vogël.

Vetëm se kundërshtarja që kishte përballë, ishte liderja e ekonomisë më të fuqishme të Europës. Kancelarja Angela Merkel e refuzoi kategorikisht një formulë të tillë, sepse në këtë rast do të humbasin edhe paratë e taksapaguesve gjermanë.

Ajo dhe politikanë të tjerë u referohen gjithashtu edhe kontratave të bashkimit monetar, ku përjashtohet mundësia që një vend të paguajë borxhet e një tjetri.

Në rastin e ristrukturimit të borxhit bëhet shtyrja e afatit brenda të cilit duhet të paguhen paratë e borxhit dhe përqindjet e interesit. Shuma e borxhit në një rast të tillë nuk pakësohet.

Megjithatë, ristrukturimi i borxhit shoqërohet shpesh nga norma më të ulëta interesi. Nëse shlyerja shtrihet për vite apo dekada, inflacioni mund ta zvogëlojë vlerën e parave të kredisë. Pra, edhe në rastin e ristrukturimit të kredisë, kreditorët nuk i rimarrin tërë paratë e tyre.

Top Channel