Kukës, mungon sinjalistika rrugore. Ekspertët: Bashkia e re t’i plotësojë

13/07/2015 00:00

Sinjalistika rrugore në qytetin e Kukësit lë për të dëshiruar. Ekspertët e policisë rrugore thonë se në territorin e qytetit ka mungesë të theksuar të sinjalistikës horizontale dhe vertikale.

Për këtë, ata i kërkojnë Bashkisë së re të Kukësit që të hartojë një projekt për plotësimin e kësaj sinjalistike, që është e domosdoshme për trafikun e automjeteve.

“Po të marrësh qytetin e Kukësit, lë për të dëshiruar parkimi i mjeteve. Ato parkohen në kundërshtim me sinjalistikën, në kahun e kundërt, por më e keqja është se ndonjëherë drejtuesit ndalojnë në mes të rrugës duke bllokuar lëvizjen e mjeteve”, thotë Luan Shehaj, shef i policisë rrugore.

Drejtimi i mjeteve nga  minorenët mbetet një tjetër problem, për të cilin policia e Kukësit vetëm gjatë një jave ka vënë në pranga 5 persona, të cilët kanë drejtuar automjete pa dëshmi aftësie.

“Një fenomen shumë shqetësues është dhënia e mjetit fëmijëve, adoleshentëve, që e përdorin në kundërshtim me Kodin Rrugor dhe Penal. Në përfundim të këtij viti të maturës, shqetësimi ynë ishte se prindërit ua besonin makinën fëmijëve për të shkuar në festë. Kjo është shkelje e Kodit Rrugor dhe Penal”, nënvizon Shehaj.

Kohët e fundit policia rrugore ka intensifikuar punën për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllim evitimin e aksidenteve, duke shtuar numrin e masave ndëshkuese ndaj drejtuesve të mjeteve.

Top Channel