Schulz në Tiranë: Bëni reformën në drejtësi. Meta: Jemi në drejtimin e duhur

13/07/2015 00:00

Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, që viziton për herë të parë Tiranën pas zgjedhjes në këtë detyrë, përforcon qëndrimin e kancelares gjermane, Angela Merkel, po në kryeqytetin shqiptar një javë më parë, se gjyqësori është përcaktues për fatin e rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Për të siguruar qëndrueshmërinë në rrugën drejt BE-së është vijimi i reformave, veçanërisht asaj në drejtësi. Reforma duhet të jetë e qëndrueshme dhe e besueshme. Ajo është gjithashtu parakushti për ardhjen e investimeve të huaja në Shqipëri. Pas takimit me kryetarin e Parlamentit dhe aktorët e tjerë, besoj se konkluzioni i përbashkët do të jetë vijimi i kësaj reforme”, ka deklaruar Schulz.

Deklarata e kryetarit të Parlamentit Europian për rëndësinë e reformës në gjyqësor shërbeu edhe për t’i dhënë përgjigje pyetjes së medias shqiptare: Kur do të hapen negociatat Shqipëri-BE?

Pavarësisht se nuk është institucioni që ai drejton përgjegjësi direkt për të dhënë përgjigje, Schulz përjashtoi mundësinë që kjo të ndodhë këtë vit. Ndërsa për palën shqiptare vetëdija është e qartë se nuk ka asnjë shpresë që kjo të ndodhë përpara se të kryhet reforma në drejtësi.

“Shqipëria është në rrugën e duhur. Është e rëndësishme të avancojmë me reformën në drejtësi, ku duhet dhe kërkohet kontributi i të gjithëve, dhe besoj se hapja e negociatave pastaj do të jetë më e thjeshtë dhe do të kemi më shumë përkrahje nga PE dhe vendet anëtare”, deklaroi kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

“Gjysma e dytë e vitit 2015 është shumë shpejt. Dua të mbështes atë që tha zoti Meta, dua të shpreh gjithë mbështetjen time për reformat që janë në proces e sipër. E rëndësishme është që reformat të jenë efikase dhe të suksesshme. Sa i takon negociatave, Parlamenti Europian ka gjithë mbështetjen, por nuk është ai që vendos mbi përgjigjen pozitive të çeljes së negociatave. Megjithatë, gjatë gjysmës së këtij viti do të promovojmë debatin pozitiv në PE, në mënyrë që kërkesës për çeljen e negociatave t’i jepet një përgjigje pozitive. Pra, unë mund të them se nuk kam një përgjigje pozitive për pyetjen tuaj, por ju premtoj që ajo do të jetë në mendjen time”, vijoi në fjalën e tij Schulz.

Këshilla e kreut të Parlamentit Europian për Shqipërinë ishte heqja dorë nga dërgimi i debateve të brendshme të vendit në Bruksel. Këto çështje, tha ai, duhet të zgjidhen brenda kufijve të Shqipërisë.

Zoti Schulz, nga kryeqyteti shqiptar bëri dhe përshëndetjen e parë për marrëveshjen e arritur me Greqinë, që sipas tij nuk është vetëm në favor të BE dhe Greqisë, por edhe një lehtësim për Shqipërinë fqinje. 

Top Channel