Trafik droge drejt Italisë, Prokuroria dërgon dosjen përgjykim

13/07/2015 00:00

Prokuroria për Krimet e Rënda ka dërguar për gjykim një shqiptar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Burime zyrtare bëjnë të ditur se hetimi ndaj Bardhi Hysës është bërë në mungesë. Ai akuzohet bashkë me shtetasin italian, Angelo Bonano për trafik kanabisi nga Shqipëria drejt Italisë, nëpërmjet territorit të Malit të Zi.

Plani i tyre nuk u realizua pasi në 8 maj të vitit të kaluar policia arrestoi në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit shtetasin italian, në shoqëri të nipit të Hysës.

Italiani Bonano ka hyrë në Shqipëri nëpërmjet Malit të Zi me një taksi, i shoqëruar nga nipi i të pandehurit Hysa, 4 ditë para arrestimit. Më tej, nga Shkodra, italiani Bonano ka udhëtuar drejt Tiranës, ku është takuar me të pandehurin Hysa, me të cilin kishte njohje që në Itali. I pandehuri Hysa kishte mbërritur nga Italia në Shqipëri disa ditë para arrestimit të Bonanos, me mjetin Mitsubishi, në pronësi të shtetasit italian. Pasi kishte siguruar lëndën narkotike dhe e kishte fshehur në pjesën e poshte të automjetit, ai kishte njoftuar Bonanon që të vinte nga Italia në Shqipëri.

Ky i fundit kishte ndjekur interenarin tokësor nëpërmjet Malit të Zi. Pasi ka takuar Hysën në Tiranë, Bonano ka marrë mjetin në pronësi të tij, në të cilin gjendej lënda narkotike, dhe është nisur drejt pikës kufitare të Muriqanit, për në Mal të Zi.

Në pikën kufitare të Muriqanit, në dalje, policia shqiptare ka kryer kontroll në mjetin e tij, nisur nga dyshimet se Bonano kishte hyrë në Shqipëri me taksi dhe po dilte nga vendi ynë me një mjet, në pronësi të tij, e regjistruar në Itali. Pra, fakti që italiani Bonano kishte hyrë pa automjet dhe po dilte me automjetin e tij, krijoi dyshimet e para tek forcat e policisë mbi faktin se si kishte hyrë ky mjet në Shqipëri. Gjatë kontrollit, në automjetin e Bonanos, u gjetën të fshehura 19 pako me lëndë bimore kanabis sativa, me peshë të përgjithshme 10 kg e 496 gram.

Menjëherë u krye arrestimi i tij, ndërkohë që Prokuroria për Krime të Rënda, pas referimit të rastit, nisi hetimet për bashkëpunëtorët e mundshëm. Në vijim të këtyre hetimeve u arrit të provohej se bashkëpunëtori i tij kryesor ishte Bardhi Hysa. Për më tepër, është provuar se ky shtetas ka qenë në shoqërim në distancë të Bonanos nga Tirana deri në afërsi të pikës së kalimit kufitar të Muriqanit. Pasi duhet të jetë vënë në dijeni për arrestimin e bashkëpunëtorit të tij, italianit Bonano, Hysa është larguar dhe deri në përfundim të hetimit nuk është bërë i mundur arrestimi i tij.

Në mbyllje të hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda ka dërguar për gjykim kërkesën për Bardhi Hysa, me akuzën se ka kryer veprën penale “Trafikim i narkotikëve”.

Top Channel