Prishtinë, 1 muaj paraburgim përkrahësve të ISIS

13/07/2015 00:00

Gjykata Themelore ne Prishtinë ka njoftuar se iu ka caktuar një muaj paraburgim 5 të dyshuarve për terrorizëm, të arrestuar natën mes së premtes dhe së shtunës tek liqeni i Badovcit.

Masa e paraburgimit prej një muaj i është caktuar të pandehurve Besnik Latifi, Enis Latifi, Milazim Haxhiaj, Gazmend Haliti dhe Fehmi Musa. Kjo u bë e ditur me anë të një komunikate për shtyp nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

“Masa e paraburgimit ndaj të pandehurve të lartëpërmendur është caktuar për arsye se ekziston dyshimi i bazuar se ata kanë kryer veprat penale të “përgatitjes së akteve terroriste”, ose të veprave penale kundër rendit kushtetues në Kosovë.

Gjykata i ka pranuar si të bazuara pretendimet e prokurorisë se, nëse tani të pandehurit do të gjendeshin në liri, ata do të mund të ndikonin në dëmtimin apo asgjesimin e provave të veprës penale, duke ndikuar edhe tek dëshmitarët.

Ankesa kundër vendimit për caktimin e paraburgimit është e lejuar, por ajo nuk e shtyn ekzekutimin, ndaj dhe të pandehurit do të mbahen në paraburgim deri në një vendim tjetër.

Top Channel