Britani, shpërthim në një impiant industrial. Dy të vdekur

13/07/2015 00:00

Dy persona raportohet të kenë humbur jetën dhe një numër i pacaktuar janë plagosur, në një shpërthim në një impiant industrial në Norfolk të Britanisë.

Shërbimet e emergjencës, përfshirë ato ajrore dhe zjarrfikësit, kanë mbërritur në vendin e ngjarjes në Hellesdon, një lokalitet periferik në Noruiç.

Tymi është parë të ngrihet lart nga kompleksi i kompanisë “Harford Attachment”, e specializuar në prodhimin e skavatorëve.

“Besojmë se atje ka një numër viktimash dhe të plagosurish rëndë, edhe pse numri i tyre nuk është përcaktuar ende. Të gjitha shërbimet e emergjencës ndodhen në vendin e ngjarjes, ndërsa po mendohet edhe bllokimi i rrugëve dhe izolimi i zonës”, ka thënë një zyrtar i policisë lokale.

Ndërsa një dëshmitare pranë zonës, Keith Swann deklaroi: “Pashë një re të madhe tymi të zi. Reja u ngjit sipër ndërtesës dhe u bë tërësisht e zezë. Ne nuk e dinim se ç’po ndodhte, derisa erdhën mjete nga toka dhe ajri”.

Ndërkohë, mediat britanike njoftojnë se, rrugët që të çojnë tek fabrika janë mbyllur për arsye sigurie.

Top Channel