Plazhe të pastra dhe gastronomi, Orikumi fton turistët

13/07/2015 00:00

Orikumi ofron plazhet më të bukura dhe populluara në gjithë zonën e gjirit të Vlorës. Këtë vit, bashkia e vjetër, edhe pse është në ditët e fundit të saj, ka marrë disa masa.

Kryetari në detyrë, Gëzim Capo thotë se Orikumi ka një pasuri të madhe natyrore që tërheq turistët. “Në këto vite jemi përpjekur që Orikumi, veç bregdetit, të ketë edhe turizmin kulturor e atë historik”, thotë Capo.

Të preferuara në Orikum janë plazhet që mirëmbahen kryesisht nga operatorët turistikë, zona e Karaburunit, si dhe afërsia me zonën malore dhe Llogaranë. Uji dhe gastronomia janë gjithashtu disa nga armët e forta që Orikumi ofron në turizmin shqiptar.

“Turistët janë shumë të kënaqur, pasi këtu i gjejnë të gjitha shërbimet, det të pastër, ambjent të pastër etj. Zona frekuentohet nga shumë të huaj, por edhe shqiptarë, për të cilët ne kemi mjete në dispozicion që të shohin Karaburunin. Presim shumë nga bashkia e re që të rrisim sezonin turistik”, thotë Bojo Begotare, një operator turistik.

Operatorët turistikë në zonë kërkojnë që bashkia e re të mos e lërë jashtë vëmendjes Orikumin, për shkak se në zonë ende ka probleme serioze me infrastrukturën, ujin e pijshëm dhe nuk ka ende një marketing të mire edhe të pasurive të mëdha historike e natyrore që ofron kjo zonë.

Top Channel