Totozani, në Sarandë: Përmirësim të ligjit për PAK, duhet edhe pagesë sociale

13/07/2015 00:00

Avokati i Popullit, Igli Totozani është takuar me përfaqësues të Personave me Aftësi të Kufizuar në qytetin e Sarandës. Në takimin me Unionin e PAK, ai kërkoi përmirësim të ligjit për këtë kategori, duke theksuar se tani duhet të ketë dhe pagesë sociale dhe jo thjesht pagesë ekonomike.

Totozani ndau shqetësimin e detyrimeve të prapambetura prej 72 mijë lekë për person nga viti 2005-2010.

Këto detyrime vijnë si pasojë e mos-indeksimit të pagesës së aftësisë së kufizuar dhe pagesës jo të plotë, për të cilat Avokati i Popullit premtoi se do t’i ndjekë me prioritet si probleme.

Një tjetër fakt shqetësues në qytetin e Sarandës është se mungojnë ambientet apo zyrat për Persona me Aftësi të Kufizuar. Avokati i Popullit tha se po përgatitet një rekomandim i posaçëm për këtë fakt.

Një tjetër shkelje me impakt direkt në jetesën e përditshme të personave me aftësi të kufizuar që u diskutua me Avokatin e Popullit ishte edhe mungesa e sinjalistikës së posaçme për ta. Mungesa e infrastrukturës, u theksua në takim, krijon mjaft vështirësi, ndaj kërkohet ndërhyrje urgjente për vendosjen e saj.

Avokati i Popullit kreu edhe një monitorim të situatës në ambientet e paraburgimit në Sarandë. Po ashtu, një përfaqësi e Avokatit të Popullit ishte në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë për një inspektim të posaçëm mbi trajtimin dhe respektimin e të drejtave të të miturve në këtë qendër.

Top Channel