Schulz takohet me Nishanin: Mesazhet e mia, ndërtimi i demokracisë dhe ripajtimi

13/07/2015 00:00

Ndërtimi i demokracisë dhe ripajtimi janë dy mesazhet e Presidentit të Parlamentit Europian, Martin Shultz. Ai u takua me kreun e shtetit Bujar Nishani, ku dhe vlerësoi arritjet e Shqipërisë në rrugën e integrimit europian.

Schulz tha se në rrafshin e brendshëm pret që Shqipëria të shënojë përparim në vendosjen e shtetit ligjor, në të gjithë elementët e tij, përfshirë reformimin e thellë të sistemit të drejtësisë dhe në vendosjen e kulture europiane të dialogut politik.

Në kontekstin rajonal Shqipëria vazhdon të luajë një rol shumë pozitiv për ndërtimin e një dialogu konstruktiv e ripajtues. Këto dy elementë do të rrisin besueshmërinë dhe rolin e Shqipërisë si në rajon ashtu edhe në raport me Bashkimin Europian, dhe Shqipëria, sipas z. Schulz, ka një potencial të shkëlqyer për ta arritur këtë.

Presidenti Nishani shprehu angazhimin e tij personal për t’u fokusuar në axhendën integruese, në përgjigje edhe të pritshmërive të mëdha që kanë qytetarët shqiptarë ndaj këtij procesi.

Njëkohësisht, z. Nishani siguroi se Shqipëria do të mbetet një partner i besueshëm i Bashkimit Europian dhe do të vijojë të bashkërendojë politikat e sigurisë me ato të BE-së.

Top Channel