Kosovë, Veseli i quan fundërrina të arrestuarit e dyshuar si anëtarë të ISIS

13/07/2015 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i ka quajtur fundërrina kosovarët që u arrestuan gjatë fundjavës nga policia si pjesëtarë të ISIS.

Ai ka reaguar ashpër pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, duke kërkuar përfundimin e hetimeve dhe gjykim të personave, të cilët po shqetësojnë qytetarët.

“Në të njëjtën kohë dëshiroj të përçoj një mesazh shumë të veçantë kur nuk do të tolerohen fundërrina të tilla që Kosovën, e cila ka orientim perëndimor, të tentojnë ta drejtojnë drejtë rrugëtimit, i cili është humnerë edhe i cili është primit dhe manipulim me besim islam. Po presim përfundimin e hetimeve në mënyrën që të kemi gjykim. Ende nuk kemi informacione të konfirmuara nëse kanë qenë pjesëtarë të ISIS-it famëkeq. Nëse kanë ndjenja, nëse kanë vetëdije, nëse kanë familje, nëse janë njerëz që i besojnë Zotit dhe të dërguarit të Zotit, Muhamedit, po flas në këtë gjuhë, pasi jemi në muajin e shenjtë të Ramazanit, që mos ta marrin në qafë këtë popull për arsye se janë duke na dëmtuar dhe të largohen nga këtu”, u shpreh Veseli.
 
Në mbledhjen e së hënës, Kryesia e Kuvendit vendosi për seancën e radhës gjatë kësaj jave, ku sërish nuk është përfshirë çështja e Gjykatës Speciale.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, ne si Kryesi, e cila merr vendim për pikat e rendit të ditës nuk mund të procedojë pa e pasur procedimin nga Qeveria e Republikës së Kosovës për amendamentet kushtetuese e pastaj, pasi t’i aprovojmë amendamentet kushtetuese, do ta kemi edhe draftligjin, i cili po ashtu ndërlidhet me dhomat e specializuara”, tha Veseli.
 
Në seancën plenare që do të mbahet këtë të enjte, Kuvendi do të miratojë në lexim të dytë ndryshimin e buxhetit për vitin 2015 dhe pritet që të zgjedhë edhe Auditorin e Përgjithshëm.

Top Channel