Tentoi të shiste fëmijën për 1 mijë paund, arrestohet 28-vjeçari

13/07/2015 00:00

Një 28-vjeçar është vënë në pranga nga policia britanike të dielën, pasi tentoi t’u shiste fëmijën vetëm tre muajsh kalimtarëve pranë një qendre tregtare në Mançester.

Një qytetar mësohet t’i ketë thënë policisë se personin në fjalë kishte tentuar t’i shiste fëmijën për 1 mijë paund.

Menjëherë pasi ka marrë informacionin, policia ka nisur kontrollet për kapjen e 28-vjeçarit, ndërsa u vëzhguan edhe kamerat e sigurisë, ku personi në fjalë i afrohej një dyqani me një karrocë fëmijësh.

Zyrtarë të policisë britanike përdorën edhe mediat sociale për të apeluar për ndihmë nga blerësit, ndërsa ishin të shqetësuar për shëndetin e fëmijës.

Oficeri i policisë, David Henshall ka deklaruar: “Një situatë e pazakontë dhe në këto momente po kërkojmë të verifikojmë shëndetin e fëmijës”.

Policia arriti të arrestojë 28-vjeçarin gjatë orëve të mbrëmjes së të dielës, ndërsa tha se vajza tre-muajshe është në gjendje të mirë shëndetësore.

Një zyrtar i policisë falenderoi publikun dhe mediat për ndihmën e dhënë në arrestimin e 28-vjeçarit.

“Ne kemi arrestuar një person nën dyshimin për neglizhim të fëmijëve. Ai do të merret në pyetje në lidhje me këtë incident për të zbardhur të plotë ngjarjen”, tha zyrtari i policisë.

Top Channel