Mesazhi i Nuland në Shkup: Tejkaloni dallimet dhe zgjidhni krizën

13/07/2015 00:00

Ndihmës-sekretarja Amerikane për Çështjet e Europës dhe Azisë, Victoria Nuland ka kërkuar nga udhëheqësit politikë në Maqedoni të tejkalojnë dallimet dhe sa më parë të gjejnë zgjidhje për krizën politike.

Nuland, gjatë takimeve të ndara me krerët e katër partive kryesore në Shkup, ka parë vullnet tek palët për normalizimin e situatës.

“Tani është koha për të zgjidhur krizën. Zoti Hahn do të jetë këtu nesër, ne i mbështesim fuqishëm bisedimet që do të zhvillohen. Unë e kalova ditën duke biseduar me të gjitha palët e përfshira për të përafruar qëndrimet, me qëllim që të arrihet kjo marrëveshje dhe vendi të fokusohet në reformat që duhen bërë, të punojë për zgjidhjen e problemeve në gjyqësor, në fushën e medias dhe procesin e zgjedhjeve”, deklaroi Nuland.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me zonjën Nuland, kryeministri Nikolla Gruevski foli shkurt për ngërçin politik. Ai tha se kriza mund të tejkalohet vetëm përmes një procesi të drejtë institucional dhe politik, në përputhje me rendin kushtetues.

“Vlerat euro-atlantike janë udhërrëfyesi ynë edhe për sfidat aktuale politike, zgjidhja e të cilave është e mundur vetëm përmes një procesi të drejtë, institucional dhe politik, në përputhje me rendin kushtetues, parimet bazë të demokracisë dhe sundimit të së drejtës”, deklaroi Gruevski.

Gjatë qëndrimit të saj në Shkup, zonja Nuland ka biseduar për krizën në takime të ndara edhe me liderin e opozitës maqedonase, Zoran Zaev dhe ata të dy partive shqiptare, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi.

Në njoftimin e BDI-së thuhet se kryetari i këtij subjekti e ka vlerësuar si të papranueshëm vazhdimin e krizës politike dhe ngecjen e procesit integrues.

Në takim, Ahmeti ka kërkuar që të vazhdojnë përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës dhe ka dhënë mbështetje të plotë për reformat që Brukseli kërkon nga Maqedonia.

Nga ana tjetër, kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi e ka quajtur të palogjikshëm dhe virtual problemin mes partive maqedonase, duke thënë se problemet e vetme të Maqedonisë janë zgjidhja e çështjes së emrit, marrëdhëniet ndëretnike dhe të drejtat e shqiptarëve.

Thaçi ka thënë se partia e tij, në kuadër të negociatave për zgjidhjen e krizës, ka dëshmuar gatishmërinë e plotë për zbatimit e reformave sistematike që rrjedhin nga marrëveshja e 2 qershorit dhe ka kërkuar që në pakon e reformave të përfshihen edhe kërkesat e PDSH-së, siç është zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe dhe pikat e tjera nga platforma politike e kësaj partie.

Top Channel