SHISH: Përgjimet? Gjithçka sipas ligjit. Reagimi pas publikimit të dokumentave në “Wikileaks”

13/07/2015 00:00

Shërbimi Informativ Shtetëror ka reaguar ndaj asaj që e ka konsideruar si “trajtim nga mediat të çështjes së kontakteve të SHISH me kompani që prodhojnë dhe ofrojnë produkte në fushën e sigurisë”.

Në një deklaratë të firmosur nga kreu i Shërbimit Informativ, Visho Ajazi Lika, thuhet se “SHISH, si edhe Shërbimet e tjera simotra të sigurisë, si pjesë e Sistemit të Sigurisë Komb ë tare, në përmbushje të misionit të tij ligjor, merr pjesë në panaire ndërkombëtare”.

Pjesëmarrja në këto panaire, sipas SHISH, është për të qëndruar në kontakt me teknologjitë e mbledhjes së informacionit, përfshirë dhe atyre të komunikimeve elektronike. “Në këtë kontekst, kontakti me kompani që prodhojnë produkte për sigurinë është një rutinë normale e SHISH”, thekson kreu i këtij institucioni, Visho Ajazi Lika.

“Nga ana tjetër, për çdo teknologji të re që mund të përdoret nga SHISH në përmbushje të ligjit, kërkohet dhe merret miratimi i Prokurorit të Përgjithshëm. SHISH është një partner shumë i besueshëm i shërbimeve aleate në ushtrimin e aktivitetit të tij. Shërbimi Informativ vepron vetëm në përputhje me ligjin dhe aktet e tjera që rregullojnë veprimtarinë e tij”, përfundon reagimi.

Ky reagim vjen pasi më datë 9 korrik 2015, “Wikileaks”, websaiti i krijuar nga Julian Assange publikoi rreth 400 GB materiale, kryesisht email-e, të hakuara nga kompania “Hacking Team”, e specializuar në ndërtimin dhe shitjen e programeve të përgjimeve. E në këtë valë përgjimesh, përjashtim nuk beri as Shqipëria, as më shumë e as më pak, por Shërbimi Informativ Shtetëror.

Janë të paktën 17 email-e të publikuara, mes përfaqësuesve të kompanisë “Hacking Team” dhe 3 shtetasve shqiptarë, dy prej të cilëve mendohet të jenë punonjës të SHISH-it, ku informohen lidhur me shitjen e një produkti të kësaj kompanie, i cili lejon përgjimin e telefonave dhe kompjuterëve pa lënë asnjë shenjë.

Email-i i parë është dërguar më datë 21 tetor 2013. Emad Shehata, përfaqësues i kësaj kompanie, i drejtohet një personi, i cili identifikohet si Altin Hoxha, të cilin pasi e falenderon për interesin e shfaqur në panairin e mbajtur në Dubai në vitin 2013, i prezanton atij produktin “Remote Control System” i quajtur “Galileo”.

Një ditë më pas, personi i identifikuar si Altin Hoxha, i cili rezulton të jetë punonjës i SHISH-it i kthen përgjigje, duke vlerësuar produktin e paraqitur prej tyre, por shton se për ta blerë këtë program nevojitet rishikimi i buxhetit për vitin 2014 dhe një prezantim më i detajuar i programit.

Po më datë 22 tetor 2013, i njëjti përfaqësues i kësaj kompanie i drejtohet Ermal Dautajt, pozicioni i të cilit ende nuk bëhet i qartë, duke i prezantuar të njëjtin program. Nga ana e tij, Dautaj i bën të ditur se e ka parë materialin në fjalë dhe se ka biseduar një këshilltare të ministrit, i cili sipas tij, kërkon më shumë detaje për programin.

Nga ana e tij, Ermal Dautaj, në një email të datës 24 janar 2014, i dërgon përfaqësuesit të “Hackin Team” adresën e email-it të ministrit Edmond Haxhinasto, pas kërkesës së ardhur prej tij, por pa dhënë detaje lidhur me arsyet se pse i duhej ky kontakt.

Ndërkaq, më datë 5 dhjetor 2013, Emad Shehata merr një email nga një adresë zyrtare e SHISH-it, nën emrin e Ergys Ligaçit, i cili duke i bërë të ditur se datat e paraqitura prej tyre për të ardhur në Shqipëri dhe për të prezantuar përshkrimin e programit, i bën të ditur se kontaktin e tij e ka marrë nga Altin Hoxha.

Dy përfaqësues të kompanisë “Hacking Teams”, nga email-et rezulton që kanë vizituan Tiranën gjatë vitit 2014-2015, pasi në email-et e publikuara, janë një sërë komunikimesh mes përfaqësuesve të kësaj kompanie, të cilët flasin për rezervim biletash avioni dhe hoteli.

Ndërkaq, email-i i fundit i shkëmbyer mes përfaqësuesit të “Hacking Team” dhe personit të identifikuar si Altin Hoxha, mban datën 8 maj 2015, ku Shehata kërkon nga Hoxha të dijë nëse janë ende të interesuar për programin e tyre.

Nuk dihet nëse blerja është kryer dhe negociatat kanë shkuar deri në fund. Dihet deri tani vetëm se ky program shërben për marrjen në kontroll të të dhënave në kompjutera dhe celularë dhe se SHISH-i thotë se e gjithë veprimtaria e tij është tërësisht e bazuar në ligj.

Top Channel