Nishani pret Nuland: Reforma në drejtësi, prioriteti ynë

13/07/2015 00:00

Presidenti Bujar Nishani priti këtë të hënë në një takim nën Sekretaren amerikane të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euro-aziatike, Viktoria Nuland dhe delegacionin që e shoqëronte.

Në takim u diskutua edhe reforma në drejtësi, ku kreu i shtetit shprehu angazhimin dhe nevojën që kjo reformë të jetë cilësore, premtuese dhe gjithpërfshirëse.

“Reforma në drejtësi mbetet prioritet i prioriteteve tona dhe ajo duhet të jetë cilësore dhe premtuese. Ajo nuk mund të ndahet në politike dhe teknike, pasi sfida kryesore ka qenë gjithmonë e lidhur me procesin e implementimit të ligjeve e reformave, që është përgjegjësi dhe vullnet politik”.

Në këtë kuadër, Presidenti i Republikës vlerësoi edhe pjesëmarrjen së fundmi të opozitës në komisionin parlamentar të posaçëm për reformën në drejtësi.

Me interes u trajtuan edhe nevoja e bashkëpunimit për parandalimin e shtrirjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe elementet terroristë. Presidenti Nishani evidentoi nismat e ndërmarra për të inkurajuar klerikët e lartë të vendit për të dhënë ndihmesën e tyre në këtë drejtim dhe forcuar bashkëjetesën dhe respektin e ndërsjellë mes njerëzve.

Presidenti shprehu mirënjohjen për vëmendjen e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj zhvillimeve në vendin tonë, duke theksuar se, “falë kësaj vëmendjeje, në Shqipëri po avancojnë çështje shumë principiale, që lidhen me reformat, forcimin e institucioneve demokratike, shtetit të së drejtës dhe lirisë ekonomike të tregut”.

Presidenti vlerësoi nënshkrimin e Partneritetit Strategjik mes dy vendeve, duke e konsideruar si tepër të rëndësishme për vendin tonë veçanërisht.

Duke u ndalur në paqen dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Kreu i Shtetit theksoi se “Prania dhe vëmendja e Shteteve të Bashkuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet jetike, pasi tentativat për destabilizimin e këtij rajoni mbetet një sfidë shumë serioze”.

Shqipëria, – tha Nishani – si pjesë e NATO-s, është tepër e interesuar për të dhënë kontributin e vet në kuadër të Aleancës, duke ruajtur dhe respektuar standardet buxhetore të sanksionuara prej pjesëmarrjes në këtë Aleancë.

Top Channel