Basha njeh Nuland me shqetësimet e opozitës; zgjedhjet, dekriminalizimi…

13/07/2015 00:00

Partia Demokratike ka njohur Victoria Nuland me dy shqetësimet e saj kryesore, standardet e zgjedhjeve të 21 Qershorit dhe dekriminalizimin.

Kryetari i PD, Lulzim Basha doli para gazetarëve në përfundim të takimit me zyrtaren amerikane.

“Folëm për zgjedhjet e 21 Qershorit ku pamë blerje masive të votës, presion mbi votuesit, administratën, institucionet zgjedhore, përfshirje masive të kriminelëve në fushatë dhe kandidim të personave me lidhje kriminale, siç është rasti i Elvis Roshit dhe Artur Bushit, pavarësisht së Bashkimit Europian, e në veçanti Shtetet e Bashkuara kërkuan tërheqjen e tyre. Diskutuam mbetjen në vend të procesit të dekriminalizimit për faj të dyshesh Rama-Meta, për rritjen e korrupsionit, që në këto 5 muaj janë vjedhur nga doganat e tatimet paratë e shqiptarëve. Problemet e asaj që quhet prishje e standardeve demokratike dhe korrupsioni kanë dominuar bisedën”, tha Basha.

Sipas Bashës, opozita ka marrë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e saj për dekriminalizimin.

“Kam marrë mbështetjen për platformën tonë për të trajtuar këto probleme kryesore, së pari dekriminalizimin dhe për të ecur përpara me këtë çështje”, tha Basha, sipas të cilit, zyrtarja amerikane vlerësoi qëndrimin e Partisë Demokratike në raport me personat që duhet të drejtojnë institucionet publike dhe zgjedhjen e tyre pa rekorde kriminale.

Top Channel