Vdesin 3 punëtorë kosovarë në Kazakistan, plagosen 3 të tjerë

13/07/2015 00:00

Tre punëtorë kosovarë kanë humbur jetën gjatë ditës së hënë në Kazakistan. Lajmin e ka konfirmuar në “Facebook”, Behgjet Pacolli, i cili citon një deklaratë zyrtare të kompanisë në pronësi të familjes Pacolli.

“Sot rreth orës 11:00, në Astana ka ndodhur një tragjedi, ku për fat të keq kanë humbur jetën punëtorët: Blerim Kadriu, 34 vjeç, Bekim Durmishi, 32 vjeç dhe Luan Bakia, 39 vjeç. Në këtë ngjarje janë lënduar edhe: Hajrush Hoti, Isuf Bekolli dhe Avni Maksuti”, shkruhet në deklaratë.

Në postim vihet theksi se kompania shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë tragjedi dhe “lutemi për ata në këtë natë të madhe të muajit të shenjtë”.

“Janë duke u marrë masat e nevojshme për të kthyer trupat e pajetë të të ndjerëve në Kosovë dhe tre të tjerë që janë të plagosur po  trajtohen në mënyrën më dinjitoze në spitalet e Astanas”, shkruan Pacoli në “Facebook”.

Në deklaratë sqarohen detaje se kjo tragjedi ka ndodhur gjatë kohës që punëtorët ishin duke zbërthyer skelat në një mur mbi 20 metra. Lidhur me shkaqet si kanë ndodhur, “kompania është duke bashkëpunuar për një hetim të thellë në bashkëpunim me organet e shtetit, për çka familjarët do të informohen për detajet”, thuhet më tej në deklaratë.

Top Channel