Kosovë, vijojnë problemet në furnizimin me energji elektrike

13/07/2015 00:00

Në Kosovë vijojnë problemet në furnizimin me energji elektrike. Kompania Kosovare për Prodhimin dhe Shpërndarjes e Energjisë (KEDS) njofton se sot nga ora 14:00 është bërë ndërprerja urgjente dhe e paparalajmëruar e prodhimit edhe në njësinë B1, të termocentralit Kosova B në KEK.

Për këtë arsye në Kosovë për momentin, KEK prodhon energji elektrike me vetëm një njësi në termocentralin Kosova B dhe një njësi në termocentralin Kosova A, njofton KEDS.

“Luteni të keni parasysh që importimi i energjisë elektrike në rrethana emergjente kërkon kohë për t’u realizuar si dhe disponueshmëri të mjaftueshme të energjisë në treg. Menjëherë pas ndërprerjes së paplanifikuar të prodhimit në njësinë B1, ne kemi filluar procedurat për realizimin e importit të konsiderueshëm të energjisë për të mbuluar kërkesën e konsumatorëve dhe për të siguruar furnizim të rregullt me energji elektrike. Jemi duke bërë të pamundurën të sigurojmë energji të mjaftueshme për furnizim të rregullt në afatin më të shkurtër të mundshëm kohor”, thuhet në komunikatë.

KEDS, me këtë rast, i lut të gjithë konsumatorët që në rrethana të tilla të jashtëzakonshme, të kursejnë energjinë elektrike sidomos në orët e pikut, kur konsumi është shumë i lartë dhe kapacitetet energjetike në vend dhe energjia elektrike e disponueshme nuk janë të mjaftueshme.

Top Channel