Reagimet e liderëve pas marrëveshjes me Greqinë, Renzi: Mjaft më me poshtërimin

13/07/2015 00:00

Politikanët gjermanë, të cilët ishin pjesë e tryezave të Brukselit për çështjen e Greqisë, janë kthyer në Berlin për të mbrojtur marrëveshjen e arritur  me kryeministrin grek, Aleksis Tsipras.

“The Economist” shkruan se pala gjermane është krenare për një ujdi të tillë dhe se kërkon që këtë frymë ta përcjellë edhe të konservatorët në vend të cilët kanë qenë skeptik prej fillimit. Mësohet se ministri gjerman i Financave Ëolfgang Scheauble, një nga shtyllat kryesore të bisedimeve në Bruksel, ka inkurajuar të gjithë deputetët dhe kolegët e tij se marrëveshja me Athinën respekton vlerat morale të Gjermanisë, Greqisë dhe ato të Bashkimit Europian.

Ligjvënësit gjermanë do të detyrohen të lënë pas pushimet e verës për t’u rikthyer në Parlament ditën e premte për një votim i cili do të autorizojë hapjen e negociatave mes tyre dhe Greqisë.  Por kryeministri italian e ka gjykuar qëndrimin e Gjermanisë si poshtërues  ndaj Greqisë.
“Të hedhësh poshtë një partner europian si Greqia, pikërisht në këtë moment, është fyese. Gjermanisë i them Mjaft!”, thotë Mateo Renzi.

Për Donald Tusk, marrëveshja më e fundit ka shmangur gjithë imapktet negative sociale, ekonomike apo edhe politike. Ndërsa Papa Françesku, teksa u pyet nga gazetarët rreth situatës së Greqisë, u shpreh se qeveritë e mëparshme greke janë ato që mbajnë përgjegjësinë më të madhe për akumulimin e borxhit.

“Me siguri do të ishte shumë e thjeshtë për të thënë se faji është vetëm i njërës palë. Por kur  një kompani shpall falimentimin , dhe të tjerët e ndihmojnë, pse nuk ndodh e njëjta gjë edhe me shtetet?”, pyet Papa Françesku.

Nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se marrëveshja paraprake BE-së me Greqinë rrit sigurinë europiane. Stoltenberg u shpreh gjatë një vizite në Slloveni se kjo nuk ishte një çështje që kishte të bënte vetëm me stabilitetin dhe prosperitetin, por edhe me sigurinë gjithashtu.  I të njëjtës linje ishte edhe kryeministri britanik David Cameron.
 
“Ajo çka është në interesin e Britanisë është stabiliteti i Eurozonës dhe unë mendoj se kjo marrëveshje na e jep këtë mundësi. Por është mëse e qartë se duhet akoma kohë për të vënë në vijë gjërat që u dakortësuan në letër”, deklaron Cameron.

Top Channel