Martin Schulz: Bëni reformën në drejtësi, vendimtare për negociatat

13/07/2015 00:00

Presidenti i Parlamentit Europian Martin Shulz, që viziton për herë të parë Tiranën,  përforcon qëndrimin e shprehur nga kancelarja gjermane, po në kryeqytetin shqiptar një javë më parë, se drejtësia është përcaktuese për fatin e rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Për të siguruar qëndrueshmërinë në rrugën drejt BE-së është vijimi i reformave, veçanërisht asaj në drejtësi. Reforma duhet të jetë e qëndrueshme dhe e besueshme. Ajo është gjithashtu parakushti për ardhjen e investimeve të huaja në Shqipëri.  Pas takimit me kryetarin e Parlamentit dhe aktoret  e tjere, besoj se konkluzioni i përbashkët do të jetë vijimi i kësaj reforme”, tha Shulz.

Deklarata e kryetarit te Parlamentit Europian për rëndësinë e reformës në gjyqësor, shërbeu edhe për t’i dhënë përgjigjie pyetjes së medias shqiptare; Kur do të hapen negociatat Shqipëri – BE?

Ilir Meta: Shqipëria është në rrugën e duhur. Është e rëndësishme të avancojmë me reformën në drejtësi, ku duhet dhe kërkohet kontributi i të gjithëve, dhe besoj se hapja e negociatave pastaj do të jetë më e thjeshtë dhe do të kemi më shumë përkrahje nga PE dhe vendet anëtare.

Martin Shulz: Gjysma e dytë e 2015  është shumë shpejt. Dua të mbështes atë që tha zoti Meta. Dua të shpreh gjithë mbështetjen time për reformat që janë në proces e sipër. E rëndësishme është që reformat të jenë efektive dhe të suksesshme. Sa u takon negociatave, Parlamenti Europian ka gjithë mbështetjen, por nuk është ai që vendos mbi përgjigjien pozitive të çeljes së tyre. Megjithatë, gjatë gjysmës së këtij viti do të promovojmë debatin pozitiv në Parlamentinm Europian në mënyrë që kërkesës për çeljen e negociatave t’i jepet një përgjigjie pozitive. Pra, unë mund të them se nuk kam një përgjigjie pozitive për këtë.

Këshilla e kreut të Parlamentit Europian për Shqipërinë ishte heqja dorë nga dërgimi i debateve të brendshme të vendit në Bruksel. Këto çështje – tha ai – duhet të zgjidhen brenda kufijve të Shqipërisë.

Presidenti i Parlamentit Europian u takua me Kryeministrin Edi Rama, ku vlerësoi angazhimin e qeverisë shqiptare në stabilitetin në rajon si dhe në mbështetjen e dhënë për BE-në lidhur me marrëdhëniet e saj me Federatën Ruse.

“Dëshiroj që të përmend në mënyrë të veçantë dy gjera të cilat janë tepër të rëndësishme. E para është për rolin tejet skajshmërisht pozitiv, që po luan Shqipëria në rajon, në veçanti dëshiroj që të falenderoj dhe nderoj zotin Kryeministër për rolin që luan ai dhe qeveria e tij në këtë fushë. Po ashtu dëshiroj të falenderoj zotin Kryeministër dhe Shqipërinë për një linjë apo mbështetje tepër të qartë që i ka bërë Bashkimit Europian, përsa i përket marrëdhënies tonë me Federatën Ruse. Pra këto janë marrëdhënie shumë të vështira, e megjithatë Shqipëria ka mbajtur të njëjtën linjë si ajo e Bashkimit Europian”, tha Schulz.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama deklaroi në krah të Schulz, se reforma në drejtësi do të kalojë në vjeshtë, në mënyrë që t’i tregohet dhe Bashkimit Europian se rruga e Shqipërisë është anëtarësimi në këtë union.

“Folëm për sfidat që ka vendi, ku kryesfida është reforma në drejtësi dhe ne këtë kryesfidë do ta kalojmë në vjeshtë”, tha Rama.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian përbën të vetmen alternativë dhe zgjedhje për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nishani e informoi mbi përpjekjet për zbatimin e 5 prioriteteve, duke e u ndalur në veçanti në fushën e zbatimit të ligjit, dhe posaçërisht tek reforma në drejtësi.

“Si Kreu i Shtetit dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbetem plotësisht i angazhuar për të bërë çdo përpjekje për realizimin cilësor dhe me ritmin e duhur të kësaj reforme kyçe për vendin”, – theksoi Presidenti Nishani.

Top Channel