Vrasja e turistëve që tronditi Dukagjinin

13/07/2015 00:00

Lotaj është një ndër fshatrat më të thellë të zonës së Dukagjinit. Rruga për të shkuar atje duket se s’ka kurrë të sosur. Destinacioni ynë është shtëpia e Fran Mjacajt, babait të Sokolit, i cili në 3 korrik të këtij viti dyshohet se vrau në tentativën për të grabitur çiftin e turistëve çekë.

Edhe për shkak të vrasjes së parë të bërë nga 20-vjeçari pesë vite më parë, familjarët e tij janë shumë të kujdesshëm me njerëzit që presin në shtëpi. Për këtë arsye shoqërohemi nga inspektori policor i zonës dhe një udhërrëfyes, pa të cilët komunikimi me Franin dhe Pavlinin, vëllain më të vogël të Sokolit, do të ishte thuajse i pamundur. Pas dy orësh ecje në terren malor, arrijmë të futemi brenda.

Pas arrestimit të Sokolit, Frani jeton vetëm me djalin e vogël. Vajza ka shkuar të jetojë tek njerëzit e së ëmës, e cila ka ndërruar jetë tre vite më parë. Varfërisë së tejskajshme, tashmë i shtohet edhe ndjenja e turpit nga krimi i dyfishtë.

“Kur e kam marrë vesh lajmin… do të isha shumë i kënaqur nëse do e kisha bërë të vdekur. Jo vetëm që është një gjest që nuk e bën shqiptari, por aq më keq se ishin edhe miq. Më mirë të më kishte vrarë mua dhe vëllanë e tij, sesa turistët”, shprehet me lot në sy babai i Sokolit.

Sipas të atit, Sokoli kishte ndryshuar sjellje pas daljes nga burgu herën e parë.
“Ai ka qenë në gjendje të mirë, por që kur ishte liruar kishte probleme mendore. Ishte me ‘penallti’, këtu qante e këtu qeshte”, thotë Frani.

Pavlini thotë se disa herë ishte përpjekur që i vëllai të punonte e të rrinte larg telasheve.

“Është diçka që s’ja mori mendja kurrkujt. As mua dhe askujt se mund ta bëjë atë. Sokoli në fillim nuk e kishte mendjen me punu, por pastaj ja mbusha mendjen me nejt ktu”, thotë i vëllai.

Kur i pyet nëse do ta vizitojnë në burg Sokolin, atë e bir përgjigjen ndryshe.

“aaaa… jo! Djali djalë është, por nuk mund ta takoj. E kam braktisur. Ai e çoi veten dëm. Me të ardh gjynah për moshën, jo për krimin”, shprehet babai.

“Unë për ca kohë do shoh ça po bëhet. Por do shkoj se e kam vëlla”, thotë Pavlini.

Dëshpërimin e Franit nuk e ndal dot asgjë.

“E ndjejmë shpirtërisht, por çtë bëjmë. me vra veten?… Të gjithë pasurinë e Shkodrës me e pas i fus flakën e dal në rrugë të madhe”, thotë Frani.

Pas familjes Mjacaj, ndalesa e radhës është hani, ku Anna dhe Michael kaluan natën e tyre të fundit. Pronari i saj, Gjergj Arusha, na rrëfen detajet.

“Ata kanë ardhur këtu nga ora 8, fjetën në kamping, ikën dhe më pas morëm vesh ngjarjen”, shprehet pronari i hanit.

Ai këmbëngul që ngjarja nuk duhet të lidhet me Thethin.

“Se ka ndodhur në Theth dhe do të ndodhë në Theth, jo. Ne nuk presim në besë mikun. Edhe kaçakët i kemi pritur dhe nuk i kemi vrarë”, thotë Gjergj Arusha.

Vrasja e fundit e rikthen Gjergjin tek Kanuni i Lekë Dukagjinit.

“Ai maskarai ka ulur figurën e të gjithë Dukagjinit. Të ishte Kanuni e digjnim dhe e piqnim, i digjnim shpinë”, shprehet Gjergji.

Rrugës takojmë edhe turistin belg Tom, së bashku me familjen e tij. Ai ka lexuar për Thethin në internet dhe prej 6 ditësh eksploron zonën.

“Fatkeqësisht këto gjëra mund të ndodhin kudo. Por fillimisht duhet kuptuar çfarë ka ndodhur dhe pse ka ndodhur. Njerëzit nëse shikojnë se ka drejtësi atëherë kjo do të ndihmonte shumë. Ky është një lajm shumë i trishtë dhe sigurisht që ndikon tek ne.  Është një dritë e trishtë që bie mbi pushimet tona, por më e rëndësishme është që u zbulua përse ndodhi ngjarja”, thotë turisti belg.

Kjo është vetëm një pjesë e historisë. Duket se veprimet e Sokol Mjacajt do të rëndojnë mbi imazhin e zonës për një kohë të gjatë…

Top Channel