Nuland takon Ramën, Nishanin e Bashën: Nevojitet drejtësi e pastër

13/07/2015 00:00

Viktoria Nuland, zëvendës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe ato Euroaziatike, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët pasditen e të hënës, i bëri një bilanc vizitës së saj disa orëshe në Tiranë.

“Në të gjitha takimet kemi folur për ato çështje, të cilat përfshin partneriteti strategjik SHBA-Shqipëri, që ne e kemi nënshkruar vitin e shkuar. Folëm për çështje që lidhen me sigurinë, punën që bëjmë bashkërisht në NATO, reformën në drejtësi, shtetin ligjor dekriminalizimin, zgjedhjet e fundit vendore që ju patët, çuarjen përpara të demokracisë përfshi zhvillimet që lidhen me rajonin, fqinjët tuaj, natyrisht edhe për aspektet ekonomike, investimet dhe mundësitë në sektorin e energjisë. Mesazhi im në të gjitha takimet me qeverinë, opozitën dhe organizatat jo qeveritare ishte i njëjti. Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë këtyre 20 viteve kanë investuar dhe janë kujdesur për zhvillimet demokratike dhe ato atlantike të Shqipërisë. Ju keni bërë shumë progres gjatë këtyre 20 viteve. Mbetet punë e konsiderueshme për t’u bërë dhe ne do të jemi në krahun tuaj, duke përballur sfidat në luftën ndaj ekstremizmit e në këtë mënyre brezat e ardhshme do të jenë përfitues të një Shqipërie demokratike, jo vetëm të përpushjes së aspiratës, duke qenë anëtarë të NATO-s, por edhe anëtarë në Bashkimin Europian”, ka thënë Nuland.

Top Channel e pyeti zonjën Nuland, nëse në të ardhmen do të kemi emra të bërë publik të njerëzve të korruptuar në drejtësi, nga ana e Shteteve të Bashkuara nëpërmjet ambasadës në Tiranë.

“Në takimet e zhvilluara sot me qeverinë dhe opozitën kemi folur gjerësisht në lidhje me angazhimet e bëra, si nga qeveria dhe Parlamenti për një çështjen kaq të rëndësishme, siç është reforma në drejtësi.  Ajo që na gëzon dhe këtë e kemi parë gjatë javës së shkuar, është se tani duket një angazhim si nga ana e qeverisë dhe nga opozita, për të punuar bashkërisht dhe struktura është dakordësuar si do ta bëjnë këtë. Të gjithë miqtë tuaj në Ëashington, në SHBA, mendojnë se këtë çështje ju duhet ta trajtoni së bashku dhe për këtë duhet përkushtim. Populli shqiptarë ka pritur tejet gjatë për një drejtësi të pastër dhe të pavarur, në mënyrë që të vihet drejtësia në vend.  Pra, nuk është thjesht çështja që Shtetet e Bashkuara t’ju tregojnë disa emra personash, por çka ju nevojitet është një sistem drejtësie më i mirë e më i pastër, i cili përfshin gjykatës dhe prokuror, të cilët janë të paanshëm. Është e nevojshme për të pasur një test për të parë pastërtinë, në mënyrë që të zhvillohet si duhet shteti ligjor. Ajo që kam dëgjuar sot nga të gjitha palët ishte një angazhim i fortë dhe ne do t’i ndjekim nga afër për të parë që gjithsecili do t’i përmbushë këto angazhime”, deklaroi zyrtarja amerikane.

Për dekriminalizimin receta amerikane Nuland ishte e thjeshtë. Ligje të forta parandaluese deri në ndryshimin e kushtetutës, për mos lejimin e partive politike në kandidimin e personave me të shkuar kriminale. Sakaq, Nuland e quajti Shqipërinë si një vend lider në rajon në luftën kundra ekstremizmit.

Gjatë qëndrimit disa orës në Tiranë, Victoria Nuland u takua me presidentin Bujar Nishani. Sipas njoftimit të presidencës, thuhet se kreu i shtetit është shprehur se  “reforma në drejtësi mbetet prioritet i prioriteteve tona dhe ajo duhet të jetë cilësore dhe premtuese”. Ndërsa për dekriminalizimin, presidenti Nishani është shprehur se “dekriminalizimi i politikës dhe institucioneve publike shqiptare mbetet një prej sfidave shumë të rëndësishme për vendin, pasi përfshirja e elementëve kriminalë në skenën politike dhe institucionet shqiptare përbën një kërcënim real për demokracinë dhe shoqërinë shqiptare”.

Në selinë e Këshillit të Ministrave Nuland është pritur nga kryeministri Rama dhe ministri Punëve të Jashtme, Bushati. Nëpërmjet një postimi në Facebook shoqëruar me një foto, kryeministri Rama shkruan: “Me Ndihmës Sekretaren e Shtetit Victoria Nuland per zgjedhjet e suksesshme, progresin e reformave dhe rajonin tonë”.

Për më shumë se 40 minuta Nuland qëndroi në selinë e PD-s, ku u takua me kreun e opozitës Lulzim Basha i cili njohu me shqetësimet kryesore të opozitës, veccanërisht standardet e zgjedhjeve të 21 Qershorit dhe dekriminalizimin.

Kryetari i PD, Lulzim Basha doli para gazetarëve në përfundim të takimit me zyrtaren amerikane.

“Folëm për zgjedhjet e 21 Qershorit ku pamë blerje masive të votës, presion mbi votuesit, administratën, institucionet zgjedhore, përfshirje masive të kriminelëve në fushatë dhe kandidim të personave me lidhje kriminale, siç është rasti i Elvis Roshit dhe Artur Bushit, pavarësisht së Bashkimit Europian, e në veçanti Shtetet e Bashkuara kërkuan tërheqjen e tyre. Diskutuam mbetjen në vend të procesit të dekriminalizimit për faj të dyshesh Rama-Meta, për rritjen e korrupsionit, që në këto 5 muaj janë vjedhur nga doganat e tatimet paratë e shqiptarëve. Problemet e asaj që quhet prishje e standardeve demokratike dhe korrupsioni kanë dominuar bisedën”, tha Basha.

Sipas Bashës, opozita ka marrë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e saj për dekriminalizimin.

“Kam marrë mbështetjen për platformën tonë për të trajtuar këto probleme kryesore, së pari dekriminalizimin dhe për të ecur përpara me këtë çështje”, tha Basha, sipas të cilit, zyrtarja amerikane vlerësoi qëndrimin e Partisë Demokratike në raport me personat që duhet të drejtojnë institucionet publike dhe zgjedhjen e tyre pa rekorde kriminale.

Top Channel