Çështja “Eric Garner”, Nju Jorku do të paguajë 5.9 milionë dollarë

14/07/2015 00:00

Nju Jorku është pajtuar që t’i paguajë 5.9 milionë dollarë familjes së Eric Garner, afro-amerikanit 43-vjeçar që gjeti vdekjen pasi një polic i bardhë e kishte shtrënguar në fyt duke i zënë frymën.

Familja e Garner kishte ngritur një padi kundër Nju Jorkut dhe Departamentit të Policisë së Nju Jorkut përmes të cilës kërkonte 75 milionë dollarë, ka njoftuar shefi i Zyrës së Financave të Nju Jorkut, Scott Stringer, i cili gjithashtu ka njoftuar për shumën që do t’i jepet familjes.

“Pas një rishikimi të fakteve dhe kërkesave të kësaj padie, zyra ime arriti në këtë zgjidhje për çështjen ‘Eric Garner’ dhe besoj se është zgjidhja më e mirë për të gjitha palët”, është shprehur Stringer.

Ai gjithashtu u shpreh se kjo nuk do të thotë që Nju Jorku ka marrë përgjegjësinë për vrasjen, por pranon natyrën tragjike të vdekjes së Garner.

43-vjeçari Garner u ndalua më 17 korrik të vitit të kaluar në një rrugë të Nju Jorkut, me dyshimin se po shiste cigare pa pullë. Fillimisht pati një përplasje me forcat e rendit dhe policët e shtrinë në tokë, ku u përpoqën ta mbanin të pa lëvizur. Njëri prej tyre, Daniel Pantaleo, e shtrëngoi në fyt.

Në filmimet e regjistruar me telefon celular, Garneri, i cili vuante nga astma, u dëgjua të thërrasë disa herë: “nuk marr dot frymë”. Pas kësaj, ai humbi ndjenjat e më vonë edhe ndërroi jetë.

Top Channel