Bisedimet me Iranin, Shtëpia e Bardhë vlerëson progresin

14/07/2015 00:00

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar për zhvillimet e fundit në bisedimet me Iranin, për të cilat thuhet se ka përparim, por për disa çështje ende nuk ka një zgjidhje.

Në fjalën e tij, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest tha se Irani do të duhet të marrë edhe disa vendime të vështira, ndërsa bisedimet do të vazhdojnë.

“Ekipet negociatore nuk do të firmosin asnjë marrëveshje, derisa të gjitha shqetësimet tona janë adresuar, dhe derisa kemi progres në bisedime, ato do të vazhdojnë”, u shpreh Josh Earnest, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Gjashtë fuqitë e mëdha, përfshirë SHBA-të, Rusinë dhe Britaninë e Madhe, janë duke negociuar me Iranin në mënyrë që këta të fundit të frenojnë programin bërthamor.

Në këmbim të heqjes së disa sanksioneve ekonomike, fuqitë e mëdha po shpresojnë që Irani të reagojë menjëherë dhe të zbatojë marrrëveshjen, në rast se do të kemi një të tillë.

Një agjenci lajmesh iraniane, ISNA, ka raportuar se të martën do të ketë një konferencë të përbashkët mes ministrit të Jashtëm iranian, Mohammad Zarif dhe shefit të politikës së jashtme, Federica Mogherini.

Top Channel