Në një moment kur kryeministri Alexis Tsipras përballet me një rebelim të konsiderueshëm në gjirin e deputetëve të partisë së tij sepse pranoi marrëveshjen me kreditorët, të disa ministrave të kabinetit, të kryetares së Parlamentit si dhe të një ngurrimi për të votuar masat, nga aleatët e tij në qeveri, Grekët e Pavarur, dy intervista të fundit të ish-ministrit të Financave, Janis Varoufakis, trondisin opinionin publik të vendit.

Në intervistën e parë dhënë revistës britanike ‘Newstatesman’, ish-shefi i Financave të vendit, pranon se prej marrjes së detyrës në janar të këtij viti, mendonte si një opsion të mundshëm Grexit-in, domethënë daljen e Greqisë nga Eurozona.

Për këtë, pohon ai, në ministrinë që drejtonte ishte formuar një grup prej 5 nëpunësish të cilët merreshin me këtë çështje. Gjithashtu, ai vetë kishte sugjeruar miratimin e qarkullimit të një monedhe paralele si dhe reduktimin e kredive të BQE-së në rast se huadhënësit do të vendosnin kontrollin e kapitalit.

Ndërsa kishte ngritur këto çështje në rang qeveritar, propozimet e tij ishin kundërshtuar, ndaj pranoi së fundmi të vendosë kontrollin e kapitalit kur u ndërpre likuiditeti nga BQE.

Ai ka pohuar gjithashtu se Eurogrupi është i kontrolluar plotësisht nga Ministri i Financave të Gjermanisë, ndërsa i vetmi që ka pasur një qëndrim pak më të ndryshëm ka qenë homologu francez.

Menjëherë, pas publikimit të kësaj interviste mediat greke e kanë sulmuar ashpër ish-ministrin grek duke e akuzuar se në vend që të negocionte për shpëtimin e Greqisë, përgatitej për Grexit-in që shumica e qytetarëve nuk e kanë pranuar.

Sikur të mos mjaftonte ky publikim, në mbrëmjen e së hënës Varoufakis ka deklaruar për një radio greke se grupi prej pesë personash në ministrinë e tij ishte ngritur me urdhër të kryeministrit Alexis Tsipras në mënyrë që të studionte dhe të gjente rrugëdalje në rast të një daljeje të Greqisë nga zona e euros.

Sipas tij, mbrëmjen e referendumit, ndërsa ai ishte krenar për mbizotërimin e alternativës “Jo”, në zyrën kryeministrore ka parë shqetësimin se si do ta menaxhonte z. Tsipras këtë shprehje të vullnetit të popullit, ndaj dhe dha dorëheqjen.

Duke përfunduar dhe duke iu referuar kryeministrit Alexis Tsipras ai ka deklaruar se askush nuk mund të nënshkruajë një marrëveshje të re që përshpejton impulse destruktive të së kaluarës. Nëse dikush lexon përmbajtjen e masave nuk ka se çfarë të ndjejë përveçse dëshpërim se si u katandis Europa, ka thënë ai.

Top Channel