Vodhi paratë e pensionit të invaliditetit, dy vjet burg për ish-punonjësin e Postës

14/07/2015 00:00

Gjykata e Matit ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me dy vjet burg Skënder Xhomarën, ish-punonjësi i Postës, që vodhi paratë e pensioneve të invaliditetit.

Nga hetimet e prokurorisë rezulton se Xhomara, në nëntor të vitit të kaluar, ka marrë rreth 1.2 milionë nga filiali i Postës, që ishin paratë e pensioneve të invaliditetit për 90 persona.

Pas marrjes së parave Xhomara u largua drejt Italisë bashkë me paratë e vjedhura. Pak para se të nisej për në Itali, i pandehuri i ka telefonuar një mikut të tij, ku i ka kërkuar që në makinën e tij të merrte disa dokumente dhe t’ia dërgonte shefit të financës të Postës.

Nga dokumentacioni rezultoi se për muajin nëntor ishin paguar vetëm 6 persona, të cilët përftonin pensionin e paaftësisë, ndërkohë që pjesa tjetër e parave nuk kishte shkuar në destinacion. Pas konstatimit të vjedhjes, drejtuesit e filialit të Postës në Mat kallëzuan penalish ish-punonjësin Xhomara.

Prokuroria zhvilloi hetime dhe dërgoi për gjykim kërkesën ndaj shtetasit Skënder Xhomara, i akuzuar për veprën penale të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”. Aktualisht, Xhomara është dënuar në mungesë dhe është shpallur në kërkim.

Top Channel