Basha: U thellua kriminalizimi i politikës. PD nuk zgjedh të keqen më të vogël

14/07/2015 00:00

Reforma në drejtësi nuk ishte kryefjalë e takimit mes kryetarit të opozitës, Lulzim Basha dhe Presidentit të Parlamentit Europian, Martin Schulz, por i pyetur nga gazetarët, Basha, megjithëse dyshues tek mazhoranca, u tregua i pakursyer për bashkëpunim.

“Ne kemi vizionin dhe platformën për një drejtësi të pastruar nga korrupsioni, të përgjegjshme dhe transparente ndaj publikut, të shpejtë dhe jo të vonuar, por të pakapur nga politika. Këtë platformë dhe ekspertizën tonë do ta vëmë ne funksion të një procesi gjithpërfshirës konsensual, transparent dhe me ndihmën e institucioneve ndërkombëtare. Ne kemi vullnetin e mirë, mbetet të shikohet edhe nëse shumica do ta ketë këtë vulllnet”, tha Basha.

Kriminalizimi i politikës, zhbërja e standardeve të zgjedhjeve dhe korrupsioni galopant qeveritar ishin tre çështjet që Lulzim Basha tha se i kishte diskutuar me Martin Schulz.

Të treja i ka cilësuar si sfida ekzistenciale për demokracinë shqiptare, duke nisur me dekriminalizimin. Një marrëveshje për të cilën, siç kujtoi kreu i opozitës, u investua 7 muaj më parë vetë Martin Schulz, por që nuk ka funksionuar për shkak të mungesës së vullnetit politik nga drejtuesit e koalicionit qeveritar Rama-Meta.

“Ndava këtë shqetësim me zotin Schulz, si dhe shqetësimin që në vend të dekriminalizimit, u shkua përpara me kokëfortësi drejt kriminalizimit të pushtetit vendor përmes kandidimit të personave me rekorde kriminale nga dyshja Rama-Meta”, deklaroi kreu i PD-së.

Për opozitën në Shqipëri, dekriminalizimi është prioriteti madhor, sepse sipas Lulzim Bashës, pa realizimin e këtij procesi, çdo gjë tjetër është hipokrizi.

“Dhe unë e sigurova se PD dhe opozita jemi të angazhuar për të ecur përpara me përparësitë, dekriminalizimi, duke bërë të qartë se nuk mund të ketë integrim europian me kriminelë në Parlament dhe kryetarë bashkish! Nuk mund të ketë dhe është i pasinqertë çdo ligjërim, çdo retorikë, çdo përbetim për të ardhmen europiane, kur e sotmja kundërmon nga akte të papërgjegjshme politike, siç është kandidmi i personave me rekorde kriminale për kryetarë bashkish apo mbajtja në Parlament e personave me rekorde kriminale”,  thotë Basha.

Ky ishte një rast që Lulzim Basha të pastronte zonën e vet politike nga spekulimet për përpjekje të fshehta për rivendosjen e marrëdhënieve me LSI-në. Pas zgjedhjeve është folur edhe për vendosjen e urave të komunikimit mes Edi Rames dhe Lulzim Bashës për një koalicion të madh që përjashton LSI-në, ide e cila u përkrah publikisht edhe nga aleati kryesor i opozitës, Fatmir Mediu.

Megjithatë, duket se asnjëri nga opsionet nuk bën pjesë në agjendën politike të Lulzim Bashës.

“PD nuk bën zgjedhje mes 2 të këqijave për të zgjedhur të keqen më të vogël për shqiptarët, por ka zgjedhur të jetë krah shqiptarëve për të luftuar çdo të keqe”, u përgjigj Basha.

Top Channel