Champion’s Cup, Reali nis përgatitjet në Australi

14/07/2015 00:00

Reali i Madridit ka mbërritur në Melburn të Australisë, ku ka nisur përgatitjet për turneun e përvitshëm “International Champion’s Cup”. Sfidën e parë skuadra spanjolle do ta luajë ndaj Romës.

Të gjithë futbollistët dhe stafi teknik i Realit ishin të pranishëm në seancat e tyre stërvitore, përfshirë edhe Kristiano Ronaldon, Luka Modriç e Karim Benzema, edhe pse për këtë të fundit u tha se është vënë në shënjestrën e Arsenalit.

Zv.presidenti i Realit të Madridit, Pedro Lopez Jimenez, u shpreh shumë i kënaqur që skuadra iberike është në Australi, ku do të luajë përballë tifozëve të saj.

“Jemi shumë krenarë për faktin që Reali është një klub universal, dimë se kemi shumë tifozë në mbarë botën. Por, kjo është hera e parë që vijmë në Australi dhe jemi të kanaqur që të takohemi me ta edhe këtu”, tha Pedro Lopez Jimenez.

Pas Romës, Reali do të luajë me Manchester City në këtë aktivitet që zhvillohet edhe në Kinë e SHBA.

Në total, këtë vit në “International Champion’s Cup” marrin pjesë 15 klube.

Top Channel