Përurohet Arkivi Qendror për regjistrimin dixhital të seancave gjyqësore

14/07/2015 00:00

Inspektorët gjyqësorë do ta përdorin arkivin qendror për të hetuar ankesat kundër gjyqtarëve dhe për të mbështetur me të dhëna vlerësimin e gjyqtarëve për promovim apo marrje masash disiplinore. Ky është objektivi i Arkivit Qendror për Ruajtjen e Regjistrimeve Dixhitale Audio të të gjitha seancave gjyqësore në Shqipëri.

Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm ambasadori i SHBA-së, Donald Lu, Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, dhe kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori

Procesi i instalimit të teknologjisë së Regjistrimit Dixhital Audio (RDA) në të gjitha gjykatat shqiptare është mbështetur nga USAID dhe tashmë, mbi 80%e të gjitha seancave gjyqësore regjistrohen përmes sistemit RDA. Ky sistem garanton një procesverbal të saktë të seancave gjyqësore, e rrjedhimisht edhe një sistem gjyqësor më të efektshëm e të përgjegjshëm, që u ofron palëve më shumë transparencë e paanshmëri.

Sistemi RDA është shtrirë në të gjitha sallat e gjyqit, gjithsej 140, të 36 gjykatave shqiptare, ku përfshihen ato në rajonet e apelit të Korçës, Durrësit, Tiranës, Vlorës, Gjirokastrës e Shkodrës, gjykatat e shkallës së parë dhe apelit për krime të rënda, gjykatat administrative të shkallës së parë të Tiranës, Korçës, Vlorës dhe Shkodrës, Gjykata e Apelit Administrativ, si dhe Gjykata e Lartë.

USAID ka realizuar edhe trajnimin lidhur me përdorimin e sistemit RDA për 740 punonjës të gjykatave, ku përfshihen gjyqtarët dhe stafi administrativ i tyre.

Top Channel