Grupet e interesit, kundër koncesionit të laboratorëve mjekësorë

14/07/2015 00:00

Grupet e interesit kanë kundërshtuar para deputetëve në komisionin e shëndetësisë dhënien me koncesion të shërbimit laboratorik në spitale.

Sipas tyre, bëhte fjalë për 18 laboratore që do të jepen me koncesion, duke shkaktuar kosto më të mëdha për pacientin.

“Kjo rrit koston, nxit mjekët të japin sa më shumë analiza dhe ul konkurrencën e transparencës”, deklaroi Anila Bulo nga Shoqata e Mjekësisë Laboratorike.

“Shpeshherë vetë mjekët i çojnë tek privati pacientët për të bërë analiza”, replikoi një nga deputetët e pranishëm.

Ndërsa zv.ministrja e Shëndetësisë, Milva Ikonomi ka sqaruar se tani për tani është duke u bërë një studim fizibiliteti për të përgatitur procesin e dhënies me koncesion të shërbimit laboratorik, por ende nuk është vendosur se si.

“Jemi duke bërë studimin, nuk e dimë ende se cilën pjesë do të japim me koncesion, menaxhimin, pajisjet apo sektorë të tjerë”, tha Ikonomi.

Ky studim fizibiliteti është duke u kryer në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe IFC-në. Nga ana tjetër, grupet e interesit kërkojnë që edhe ata të përfshihen në konsultime, ndonëse Ministria e Shëndetësisë thotë se, përfaqësues të tyre kanë qenë pjesë e grupeve të punes.

Top Channel