Obama, mesazh urimi Presidentit Nishani për festën e Bajramit

14/07/2015 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit shqiptar, Bujar Nishani, për festën e Fiter Bajramit. “Myslimanët në këtë muaj janë afruar me Perëndinë”, shkruan Obama.

“Populli amerikan bashkohet me mua dhe Michelle, teksa shprehim urimet tona më të mira për ju dhe popullin e vendit tuaj, ndërsa festoni Fiter Bajramin.

Gjatë muajit të Ramazanit, myslimanët anembanë botës – përfshirë bashkësinë tonë të fortë dhe energjike të myslimanëve amerikanë, – janë përpjekur të afrohen më pranë Perëndisë përmes ripërtëritjes shpirtërore dhe veprave të përkushtimit.

Kjo ka qenë një mundësi për të kaluar kohë me personat e tyre të dashur, për të ndihmuar ata që janë më të pafat e për t’u përsiatur mbi urtësinë dhe paqen që vjen me besimin.

Kjo ka qenë gjithashtu një kohë, gjatë së cilës ritualet e agjërimit dhe të lutjes na kanë ndërmendur për vlerat që të gjithë ndajmë dhe për njerëzoren e përbashkët. Paçi gëzim, begati dhe mirëqenie përgjatë vitit në vazhdim! Gëzuar Bajramin!”, thuhet në mesazhin e urimit.

Top Channel