Klosi-Thaçi: Shqipëria dhe Kosova, me shërbime sociale të njëjta

14/07/2015 00:00

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka takuar në Prishtinë krerët më të lartë të shtetit për të thelluar bashkëpunimin ndërshtetëror në ofrimin e shërbimeve sociale dhe në bashkërendimin e politikave për të rinjtë shqiptarë.

Gjatë takimit me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, Klosi ka diskutuar për zbatimin praktik të skemave të përbashkëta sociale dhe për trajnime të punonjësve në përputhje me nevojat e tregut të punës.
 
Edhe në takimet e ndara me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe me kryeministrin Isa Mustafa, ministri Blendi Klosi ka diskutuar për lëvizjen e raporteve ndërshtetërore përtej shprehjeve verbale, duke hequr barrierat politike që pengojnë bashkëpunimin e qytetarëve shqiptarë.
 
Në këtë kuadër, ministri Klosi gjatë takimit me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi në sektorin e rinisë.
 
“Ajo çfarë përfitojnë të rinjtë nga ne si administratorë publik është që aktivitetet e përbashkëta do të mbështeten me më shumë fonde sepse vazhdoj të them që ne do të duhet të jemi ndjekës të atyre çfarë të rinjtë duan dhe të interesave të tyre. Prandaj them që do të jetë shumë më mirë, në qoftë se aktivitetet janë të përbashkëta, janë të orientuara, janë të një programi të përbashkët dhe me fondet sikur duket që mungojnë në qeveritë tona, po të jenë të përbashkëta bëhen disa aktivitete më shumë, bëhet një orientim më i mirë. Ajo që të rinjtë e bëjnë fare pa pyetur për ne, duhet të jetë një mësim i mirë për ne, për të ecur përpara”, tha Klosi
 
“Kjo marrëveshje, përpos pikave që kemi përcaktuar ne e që janë pika që lidhen me tetë fusha specifike brenda fushë-veprimtarisë, mendoj që edhe më i rëndësishëm do të jetë programi i përbashkët i punës të cilin ne do ta ndërtojmë brenda këtij viti dhe me të cilin do të përcaktojmë konkretisht aktivitetet e përbashkëta që kanë të bëjnë me javët e përbashkëta si dhe me muajin e rinisë”, u shpreh Kujtim Shala, ministër për Kulturë, Rini dhe Sport në Kosovë.  
 
Përveç projekteve të përbashkëta për të rinjtë, ministri Klosi tha se ka diskutuar me ministrin kosovar për Punë dhe Mirëqenie Sociale edhe për trajnimet e përbashkëta të të rinjve në fusha të ndryshme në interes të tregut të punës.

Top Channel