Gjendja e minoriteteve, Totozani: Të realizohet një census i pakontestueshëm

14/07/2015 00:00

Avokati i Popullit, Igli Totozani ka kërkuar realizimin e një censusi të pakontestuar dhe të gjithëpranuar nga minoritet. Ai ka marrë pjesë në një auditorium të organizuar në Gjirokastër, mbi gjendjen e minoriteteve në Shqipëri.

Krahas kësaj, Avokati ka kërkuar edhe miratimin e një ligji për përcaktimin dhe kriteret e njohjes “de jure” të minoriteteve, në përputhje me parashikimet e Konventës Kuadër të Këshillit të Europës.

“Pavarësisht proceseve të regjistrimit të popullsisë të ndërmarra nga ana e shtetit, (përfshirë këtu censusin e vitit 2011), gjendemi para faktit të një debati mes deklarimit zyrtar të shifrave të popullsisë minoritare në vend dhe, nga ana tjetër, të mospranimit dhe kontestimit të tyre nga vetë minoriteteve. Ky moment konstaton mungesën e të dhënave të sakta statistikore mbi popullsinë minoritare, të dhëna këto që të jenë të pranueshme nga të gjitha palët”, tha Totozani.

Pas inspektimeve dhe mbledhjes së fakteve në terren, institucioni i Avokatit të Popullit ka përgatitur edhe një raport të detajuar mbi situatën reale të  minoriteteve, dokument ky që është dorëzuar edhe në Kuvendin e Shqipërisë.

Top Channel